Komiteti i Konventës së Bernës edhe këtë vit i kërkoi RMV-së të heqë dorë nga hidrocentralet e vegjël

Të anulohet menjëherë ndërtimi i hidrocentralit të vogël “Ribniçka” në parkun kombëtar “Mavrovë”, kërkon Komiteti i Konventës së Bernës në rekomandimet pas seancës së fundit të 43-të që u mbajt në fund të muajit të kaluar. Nga shteti kërkohet që të ndërpresë të gjitha koncesionet në Parkun Kombëtar (PK) “Mali Shar”, si dhe të përshpejtojë rishpalljen e PK “Mavrovë” dhe të sigurojë konsultime adekuate publike në të gjitha fazat e këtij procesi. Rekomandohet përshpejtimi i miratimit të ligjeve për ujin dhe natyrën dhe sigurimi i konsultimeve të rregullta me organizatat e shoqërisë civile, transmeton Portalb.mk.

Rekomandimet nga Konventa e Bernës vijnë pasi Qeveria në shkurt të këtij viti mori vendim për ndërprerjen e procedurave për ndërtimin e dy prej tre hidrocentraleve të vogla të planifikuara në “Mavrovë” – “Zhirovnica” 5 dhe 6, por jo “Ribniçka”. Mirëpo, vendimi për këta dy nuk është zbatuar ende, edhe pse ministritë e mjedisit, ekonomisë dhe financave ishin ngarkuar për formimin e komisionit që do të punojë për zgjidhjen e kontratës me investitorin “Hydrogen Energy”. Në të njëjtën seancë, Qeveria, megjithatë, vendosi të shtyjë afatin për dhënien me koncesion të tre hidrocentraleve të vegjël në Parkun Kombëtar “Mali Sharr”, “Pena” 84 dhe 85 dhe “Vejaçka”.

“Hidrocentralet e vegjël tashmë janë përcaktuar të kenë një kontribut të vogël energjetik. Kemi 98 objekte të tilla dhe nga të gjitha së bashku marrim rreth tre për qind të prodhimit të brendshëm bruto të energjisë elektrike. Përkundrejt kontributit të papërfillshëm, dëmi që shkaktojnë është i madh. Një e treta e tyre janë të ndërtuara në parqe kombëtare dhe zona të mbrojtura dhe ndikimet në biodiversitet, natyrë dhe ujësjellës të komuniteteve lokale janë shumë më të mëdha se sa vlera potenciale ekonomike”, thotë Gjorgi Mitrevski nga “Eko-svest”.

Ai thekson se tre hidrocentralet e vogla “Zhirovnica” 5 dhe 6 dhe “Ribniçka” ishin një nga pengesat kryesore të procesit të pasuksesshëm të rishpalljes së “Mavrovës” dhjetë vjet më parë, prandaj parku kombëtar ende nuk gëzojnë mbrojtje të vërtetë aktive. Dhe tani, kur procesi rifillon, koncesionet për këto tre objekte ende ekzistojnë dhe janë një rrezik potencial për një vonesë të re të rishpalljes.

Rasti i hidrocentraleve të vegjël në PK “Mavrovë”, i hapur para Konventës së Bernës, këtë vit shënoi 10-vjetorin e tij. Gjatë kësaj periudhe, organizatat e shoqërisë civile arritën të sjellin disa ndryshime, por megjithatë problemi i hidrocentraleve të vegjël është ende një kërcënim serioz për lumenjtë në zonat e mbrojtura, por edhe jashtë tyre.

Lufta filloi në vitin 2013 kur “Eko-svest” paraqiti ankesë në Sekretariatin e Konventës, kushtuar mbrojtjes së kafshëve të egra dhe habitateve me rëndësi evropiane brenda Këshillit të Evropës, me një kërkesë për ndalimin e hidrocentraleve “Boshkov Most” dhe “Lukovo Pole” në PK “Mavrovë”. Në vitin 2015, ekspertë të pavarur kryen një vlerësim në terren të shkallës së kërcënimit ndaj biodiversitetit dhe arritën në përfundimin se objektet energjetike të propozuara nuk janë në përputhje me statusin e mbrojtjes së ekosistemeve dhe specieve me vlerë të lartë dhe duhet të braktisen.

Më pas Banka Botërore u tërhoq nga financimi i “Lukovo Pole”, por Qeveria vazhdoi të jepte koncesione për hidrocentrale të vogla. Në vitin 2017 u ndërpre edhe marrëveshja e financimit për “Boshkov Most”, por qeveria vazhdoi të miratonte koncesionet për hidrocentralet e vogla. Për “Zhirovniçka” 1 dhe 2, “Jadrovska” dhe “Ribniçka” në Mavrovë u vazhdua afati dhe deri në vitin 2019 u miratuan edhe 18 koncesione në parqet e ardhshme kombëtare.

Si rezultat, në vitin 2021 Komiteti i Konventës së Bernës miratoi një rekomandim me 13 pika, duke përfshirë anulimin e të gjitha hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, financimin shtetëror të zonave të mbrojtura, miratimin e një plani për mbrojtjen e rrëqebullit të Ballkanit dhe përshpejtimin e rishpalljes së Mavrovës. Por, kjo nuk e pengoi Qeverinë që të vazhdojë të veprojë në kundërshtim me rekomandimet dhe në vitin 2022 të japë afate të reja për ndërtimin e “Zhirovnicës” 5 dhe 6, “Ribnika” dhe “Jadrovska”.

Në këtë periudhë u mor vendim në drejtim të mbrojtjes së biodiversitetit, me të cilin u anuluan koncesionet për shtatë hidrocentrale në Malin Sharr, pasi u bë park kombëtar. Ambientalistët kërkuan që kjo praktikë të zbatohet në Mavrovë dhe aty të ndërpriten koncesionet e mbetura për hidrocentralet e vogla dhe të bëhet një metodologji për monitorimin e rrjedhës ekologjike të lumenjve. Nga të gjitha kërkesat, tani për tani ka filluar vetëm procesi për rishpalljen e PK “Mavrovë”.

Simona Trajkovska nga “Eko-svest” informon se organizata ka dorëzuar iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e dy neneve të Ligjit për mjedisin jetësor, me të cilin është përcaktuar se për këtë lloj objektesh, Raportet për vlerësimin e ndikimit në mjedisin jetësor duhet hartuar, një praktikë që nuk ekziston në Bashkimin Evropian dhe në legjislacionin evropian. Kjo u mundëson investitorëve tanë të realizojnë projektet pa dëgjime publike dhe njohuri të publikut, organizatave mjedisore, madje edhe popullatës lokale, të cilët do të preken drejtpërdrejt nga dëmtimi në mjedisin e tyre.

“Në nismën në Gjykatën Kushtetuese kërkojmë që të anulohen këto nene që parashikojnë përgatitjen e raporteve dhe të bëhet transpozimi i duhur i Direktivës së BE-së për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis. Si argument i përmendim rekomandimet nga Konventa e Bernës që të rishikohet i gjithë legjislacioni që vlerëson ndikimin në mjedis dhe të mundësohen dëgjime publike në përputhje me Konventën e Aarhusit”, thotë Trajkovska.