Shukova: Trendi i hidrocentraleve të vegjël duhet të ndalet dhe të fokusohemi te energjia e erës dhe diellit

Ndërtimi i hidrocentraleve të vegjël si objekte energjetike duhet të ndalet, ndërsa investitorët duhet të fokusohen më shumë në burimet e rinovueshme të energjisë siç janë parqet e erës dhe qendrat fotovoltaike. Ministrja e Mjedisit Kaja Shukova për Meta.mk tha se shteti i respekton rekomandimet e Konventës së Bernës për të mos lëshuar koncesione në zonat e mbrojtura, por ligji ende lejon ndërtimet jashtë tyre, transmeton Portalb.mk.

“Personalisht mendoj se trendi i hidrocentraleve të vegjël duhet të ndalet dhe të kalojmë tek burimet e rinovueshme të energjisë. Shohim që centralet fotovoltaike po bëhen gjithnjë e më interesante për investitorët dhe unë personalisht jam mbështetëse e madhe e shfrytëzimit të energjisë së erës dhe ndërtimit të parqeve me erë”, thotë Shukova.

Ministrja konfirmon se nuk jepen më koncesione për hidrocentrale të reja të vogla për zonat e mbrojtura në vend, veçanërisht për parqet kombëtare të Malit Sharr dhe Mavrovës, ku tashmë janë ndërprerë disa koncesione për projektet që nuk kanë filluar të ndërtohen. Por, përkundër kësaj, është evidente se hidrocentralet e vogla këtu vazhdojnë të jenë rrezik për lumenjtë e Maqedonisë, sepse disa kontrata nuk mund të ndërpriten.

“Ne po përballemi me një problem nëse duhet të ndalojmë proceset e nisura disa vite më parë. Investitorëve u vazhdohen vazhdimisht kontratat pasi përmbajnë klauzola që shteti duhet t’i zgjasë derisa t’u sigurojë kushtet për të marrë të gjitha dokumentet e ndërtimit. Dhe kjo na ndodh shumë shpesh”, thotë Shukova.

Ajo pranon se rekomandimet e Konventës së Bernës për ndërprerjen e koncesioneve për hidrocentralet e vogla dhe për të mos lidhur të reja vlejnë vetëm për zonat e mbrojtura dhe thekson se nuk ka ndryshime në ligj, kështu që mbrojtja e lumenjve sipas konventës ndërkombëtare nuk vlen për territorin jashtë zonave të mbrojtura.

“Ligji lejon të fillojë një procedurë investimi dhe është e vërtetë që ende po kërkohen koncesione të reja. Mendoj se duhet të bëjmë një prerje tërthore, të shohim se ku kemi lëshuar të gjithë koncesionet dhe të fillojmë të mendojmë të bëjmë ndryshime në ligje dhe që Qeveria të miratojë një strategji që të mos ketë më hidrocentrale të vegjël”, thotë Shukova.

Dy nga investimet më të reja të miratuara së fundmi për hidrocentrale të vogla janë në lumin Doshnica në malin Kozhuf. Për shkak të tyre, iniciativa civile “Shpëtim për Gjevgjelinë” paralajmëroi një tubim të madh protestues që do të mbahet më 16 shtator para vendbanimit turistik “Smrdliva voda”.

“Perlës së fundit ekologjike, malit Kozhuf, sërish i kërcënohet katastrofa. Gjashtë vjet më parë e shpëtuam nga mafia e minierave, tani duhet ta shpëtojmë nga mafia energjetike. Manjatët maqedonas kanë marrë leje për ndërtimin e dy hidrocentraleve në lumin Doshnicë”, shkruan iniciativa qytetare “Shpëtim për Gjevgjelinë”.

Ndërkohë kujtojmë se sipas një analize, ligjet e Maqedonisë ofrojnë mundësi juridike për ndërprerje të koncesioneve për mini hidrocentrale në parkun kombëtar “Mavrovë”. Të gjitha mekanizmat dhe zgjidhjet ligjore me të cilat mund të zgjidhen këto kontrata janë të përfshira në analizën juridike që e përgatiti Qendra për hulumtim dhe informim mbi mjedisin jetësor “Eko Svest” në bashkëpunim me akademikun Vllado Kambovski – kryetar i Platformës për drejtësi ekologjike.