Ka mundësi juridike që të ndërpriten koncesionet për mini hidrocentralet në Mavrovë, duhet vetëm të aplikohen

 

Ligjet e Maqedonisë ofrojnë mundësi juridike për ndërprerje të koncesioneve për mini hidrocentrale në parkun kombëtar “Mavrovë”. Të gjitha mekanizmat dhe zgjidhjet ligjore me të cilat mund të zgjidhen këto kontrata janë të përfshira në analizën juridike që e përgatiti Qendra për hulumtim dhe informim mbi mjedisin jetësor “Eko Svest” në bashkëpunim me akademikun Vllado Kambovski – kryetar i Platformës për drejtësi ekologjike, raporton Portalb.mk.

Ato do të prezantohen para të gjitha institucioneve që janë kompetente për këto raste dhe që duhet të sjellin vendim mbi fatin e tre objekteve energjetike, Zhirovnica 5 dhe 6 dhe Ribniçka. Kërkesë për ndërprerje të koncesioneve në Mavrovë, vendi ynë vitin e kaluar pranoi edhe nga Konventa e Bernit, e cila solli vendim në të cilën ishin të shënuara individualisht këto tre mini hidrocentrale.

“Angazhuam ekspertë dhe analiza juridike është e gatshme. Të gjitha zgjidhjet do të prezantohen para institucioneve të cilët tashmë gjatë kohë pretendojnë se koncesionet nuk janë ndërprerë sepse nuk ekzistojnë mekanizma juridikë. Tani ato i kemi, ndërsa pyetja mbetet se si dhe kur do të aplikohen gjatë negociatave me investitorët. Duam të bëjmë me dije se ndërprerja e këtyre koncesioneve është e domosdoshme, e se ka edhe mënyrë”, thonë nga Eko Svest.

Zgjidhja e çështjes së mini hidrocentraleve është me rëndësi kyçe para përfundimit të procesit të rishpalljes së parkut kombëtar dhe konfirmimit të zonave të mbrojtura. Pikërisht kapacitetet energjetike dhe interesat e investitorëve, kundrejt kërkesave për mbrojtje adekuate të mjedisit jetësor, ishin guri që pengonte para dhjetëra vitesh kur filloi ky proces, e pastaj frenoi.

“Procesi është në vijim, por ndërkohë duhet të ketë epilog për ndërprerje të koncesioneve të MHC-ve sepse ato ishin frenuesit kryesorë kur u përgatit Studimi paraprak për valorizim dhe zonim. Ato gjenden në një zonë në të cilën nuk lejohen objekte të këtij lloji. Nuk presim ndryshime të mëdha për dhjetëra vite, në gjendjen e biodiversitetit, të cilat do ti lëviznin kufijtë e zonave dhe mundësia është e madhe që këto objekte përsëri të jenë në zonë që nuk guxojnë të jenë”, theksojnë nga Eko Svest.

Rishpallja e Mavrovës si Park Kombëtar këtë vit u aktualizua përsëri, pasi Ministria e Mjedisit Jetësor, së bashku edhe me dy partnerë të huaj ndau mjete financiare për rinovimin e Studimit të revalorizimit. Procesi duhet të përfundojë deri në fund të këtij viti, deri në prill të vitit të ardhshëm të jetë i gatshëm edhe Plani për menaxhim, ndërsa i gjithë procesi pritet të përfundojë për dy vite.

“Që të mos vijmë në situatë si herën e kaluar, kur u përpilua Studimi, u paguan mbi gjysmë milioni euro, e puna u frenua te zonimi dhe Mavrova përsëri mbeti e pambrojtur. Atë kësaj radhe nuk guxojmë ta lejojmë”, apelojnë ekologët.

Nga Ministria e mjedisit jetësor informojnë se procedura për ndërprerjen e kontratës për koncesionin e mini hidrocentraleve Zhirovnica 5 dhe 6 ka filluar, por jo edhe për Ribniçkën, për të cilën do të kërkohet zgjidhje të ndërtohet jashtë zonave te mbrojtjes rigoroze dhe menaxhimit aktiv.

“Për Zhirovnica 5 dhe 6 procedura është filluar, por ka ngecje në formimin e Komisionit që do ta shqyrtojë dokumentacionin e dorëzuar nga koncesionari në bashkëngjitje të kërkesës për kompensim të shpenzimeve për realizimin e kontratës. Për Ribniçkën ende nuk ka filluar procedura e ndërprerjes së kontratës sepse po shqyrtohet kërkesa për ndryshimin e zgjidhjes teknike me të cilën punimet e këtij centrali do të zhvendosen në zonë jashtë zonave të mbrojtjes rigoroze dhe menaxhimit aktiv. Kërkesa është dorëzuar deri të udhëheqësia e parkut kombëtar dhe pritet mendim”, thonë nga Ministria.

Ato bëjnë me dije se në adresën e tyre ende arrijnë kërkesa të reja për koncesione, disa nga të cilat janë duke i procesuar për momentin. Bëhet fjalë për lokacione në lumin Treska në Makedonski Brod, në lumin Rabetinska në Kërçovë, Zërnovska në Komunën e Zërnovës dhe në lumin Pena, por nga ana e Ministrisë deklarojnë se asnjë nga këto mini hidrocentrale nuk është në hapësirë të mbrojtur.

Disklejmeri për Smart Balkans, disclaimer