Anashkalimi i gjuhës shqipe te Mega Parku në Butel, Inspektorati i Gjuhëve nisi procedurë: Tabela duhet të harmonizohet me ligjin
Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve ka nisur procedurë pas mungesës së gjuhës shqipe në tabelën informuese në Mega Parkun e Butelit, çështje e cila u ngrit në media nga Portalb.mk. Nga ky institucion thonë se kanë ndërmarrë veprimet brenda kompetencave të tyre ligjore dhe rikujtojnë se tabela duhet të harmonizohet me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
“Ju njoftojmë se Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve ka ndërmarrë aktivitetet e duhura në kuadër të kompetencave të veta ligjore, ku si pasojë procedura lidhur me lëndën në fjalë është në rrjedhë e sipër”, thonë për Portalb.mk nga Inspektorati i Përdorimit të Gjuhëve.
Nga ky institucion po ashtu rikujtojnë se tabela duhet të harmonizohet me dispozitat ligjore.
“Njëkohësisht, rikujtojmë se tabela duhet të harmonizohet me dispozitat e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”, thonë nga Inspektorati.
Ditë më parë, këshilltarët shqiptarë të AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit lëshuan seancën e Këshillit në shenjë proteste, pasi nuk u miratua propozimi që në tabelën informuese të Mega Parkut të vendoset edhe mbishkrimi në gjuhën shqipe. Propozimi u bë me iniciativë të këshilltarëve të AKI-së dhe me mbështetjen e këshilltarëve të VLEN-it. Tetë këshilltarët shqiptarë votuan pro, ndërsa 11 këshilltarët e tjerë abstenuan.
Për mungesën e shqipes në tabelën informuese të Mega Parkut të ri në Butel kishte raportuar më herët Portalb.mk. Parku u promovua nga Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit.
Qyteti i Shkupit dhe Komuna e Butelit nuk iu përgjigjën pyetjeve të Portalb.mk lidhur me mungesën e gjuhës shqipe në tabelë, ndërsa nga NP “Parqe dhe Gjelbërime” thanë se vendosja e tabelave nuk është në kompetencën e tyre.
Pas raportimit të Portalb.mk, reaguan edhe këshilltarët e AKI-së dhe VLEN-it në Komunën e Butelit, të cilët shprehën pakënaqësi për mungesën e gjuhës shqipe në tabelë.
Kujtojmë se, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2021, në Komunën e Butelit jetojnë 14.095 shqiptarë nga gjithsej 37.968 banorë, që përbëjnë rreth 37 për qind të popullsisë rezidente. Sipas Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, në komunat ku së paku 20 për qind e qytetarëve flasin një gjuhë tjetër nga maqedonishtja, ajo gjuhë dhe alfabeti i saj janë në përdorim zyrtar, krahas gjuhës maqedonase.
Ky nuk është rasti i parë i mosrespektimit të gjuhës shqipe. Edhe më herët janë evidentuar raste të ngjashme, ndërsa institucionet janë arsyetuar se bëhet fjalë për lëshime teknike që do të korrigjohen.
- LEXO: Tabela në Bllacë pa gjuhën shqipe bëri bujë në opinion, VLEN do të hetojë, BDI dhe ASh me akuza
- LEXO: Përsëritet rasti: Tabela kufitare në Tabanoc pa mbishkrim në shqip
- LEXO: “Migrimi” i pafund si maskë për neglizhencën: Si po e “zhduk” Qeveria e Maqedonisë gjuhën shqipe online
- LEXO: “Ka ligj, por ka edhe Maliq”, Presidenca e RMV-së “nuk e njeh” shqipen, Qeveria pjesërisht, ndërsa Kuvendi po