KOHA

Koha po kalon e ne jemi ende në vorbullën e pasigurisë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen tonë. Ende jemi të pasigurtë për atë se si duhet të ecim përpara. Ende hezitojmë për t’i kryer obligimet tona që i kemi marë përsipër. Ende po hapërojmë në vend. E koha po kalon. Koha kalon dhe nuk pret. Koha do të na shkelë sërish dhe do të mbetemi pas, duke pritur ditë më të mira, duke pritur që të vijë koha përsëri, duke harruar që koha që kalon më nuk kthehet.

Ndryshimet kushtetuese ende nuk kanë kaluar ndërsa ne zhytemi thellë e më thellë në pasiguri. Ballkani Perëndimor është vend që do të stabilizohet vetëm kur të integrohet në Unionin Evropian. Përndryshe, është kaq e lehtë të turbullohet përsëri, për vetëm pak kohë dhe me fare pak angazhim. Prandaj nuk është mirë ta lëmë kohën të kalojë, sepse kur humbim kohë, e vendosim veten tonë në rrezik.

Kur koha kalon gjithçka bëhet më e shtrejtë, më e vështirë për tu arritur, më e largët, më e paaritshme. Ofertat që vlejnë sot për vendin, nuk do të vlejnë nesër. Sepse koha nuk rin në të njejtin vend. Asgjë nuk rin në vend dhe gjithçka ndryshon. Siç ka thënë Herakliti, asnjë njeri nuk kalon dot dy herë mbi të njejtin lum, herën e dytë kur kalon njeriu mbi lum, as ai është i njejti njeri, e as lumi i njejti lum.

Vendi jonë shkon duke u tkurur dhe duke u zvogëluar në kuptimin e resursit kryesor që e posedon: kapitali njerëzor. Njerëzit shpërngulen sipas proverbës së vjetër: Nëse nuk vjen Muhamedi tek mali, atëherë do të vijë mali tek Muhamedi. Nëse Evropa nuk vjen te ne, të rinjtë tanë do të shkojnë në Evropë, siç janë duke shkuar. E kur të shkojnë të gjithë, atëherë politikanët mund të vazhdojnë të grinden deri në pafundësi mbi atë se kush ishte patriot e kush tradhëtar. Kur të humbet kapitali njerëzor, do të humbet edhe burimi i votave të tyre. Dhe atëherë asgjë nuk do të ketë më kuptim.

Para se të jetë vonë duhet të veprojmë dhe ta kapim momentin, siç kanë thënë latinët, Carpe Diem. Koha është e pamëshirshme dhe nuk ndalet me asnjë intervenim. Dhe koha kur të shkel, nuk mbetesh tjetër përveç se një kujtim i mjegullt nën pluhurin e harresës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.