Klekovski u takua me të lënduarit nga zjarri në Koçan: Paralajmërova mundësitë dhe hapat e ardhshëm për trajtimin e tyre
Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, mbrëmë në Koçan është takuar me të lënduarit nga zjarri në të ashtuquajturën kabare “Puls”, me të cilët ka biseduar për gjendjen e tyre dhe kujdesin e mëtejshëm që u nevojitet për t’u rikuperuar nga pasojat e tragjedisë së vitit të kaluar, transmeton Portalb.mk.
Për takimin, Klekovski informoi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në Facebook, ku tha se shteti është i gatshëm të ndihmojë në një proces afatgjatë.
“Paralajmërova mundësitë dhe hapat e ardhshëm”, shkroi ministri në postim.
Në takim, siç bëri të ditur ai, ishin të pranishme edhe doktoresha Katerina Mirçovska dhe doktoresha Gordana Georgieva, nga grupi i punës i Ministrisë së Shëndetësisë, që ka për qëllim vlerësimin, këshillimin, organizimin dhe ndjekjen e trajtimeve të secilit pacient.
“Kjo është bazë për kujdesin e mëtejshëm, të përshtatur sipas nevojave të secilit prej tyre”, theksoi Klekovski, duke shtuar se në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Koçanit, Vladko Grozdanov.
Klekovski e paralajmëroi takimin javën e kaluar. Ai vjen pas vizitave të tij në Beograd dhe Sofje, ku, siç deklaroi të mërkurën e kaluar, do të zhvillonte konsultime me autoritetet shëndetësore të të dy vendeve fqinje për përcaktimin e detajeve lidhur me trajtimin e mëtejshëm të disa prej të lënduarve nga tragjedia në “Puls”.
Deri më tani nuk është bërë e ditur se cilat detaje konkrete janë dakorduar.
Nga zjarri në “Puls” në Koçan, që ndodhi më 16 mars 2025, u lënduan më shumë se 200 persona.
Nga Ministria e Shëndetësisë dje njoftuan se ministri përkatës, në Sofje, së bashku me homologen e tij bullgare, Katja Ivkova, nënshkroi Planin e Bashkëpunimit ndërmjet ministrive të shëndetësisë të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë për periudhën 2026–2028.
Si fusha kryesore të bashkëpunimit janë përcaktuar kujdesi shëndetësor parësor dhe i specializuar, kujdesi shëndetësor spitalor, parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse. Gjithashtu, është dakorduar bashkëpunimi në mbikëqyrjen epidemiologjike, statistikat mjekësore, organizimin e reagimit shëndetësor në situata emergjente, shëndetësinë elektronike dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Nga Ministria e Shëndetësisë shtojnë se Plani i Bashkëpunimit paraqet një hap shtesë në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve, me qëllim shkëmbimin e njohurive dhe praktikave të mira, si dhe përmirësimin e cilësisë dhe qasjes në shërbimet shëndetësore për qytetarët.
Klekovski, përmes një postimi në Facebook, informoi se pas nënshkrimit të Planit të Bashkëpunimit, së bashku me homologen e tij, Katja Ivkova, vizituan Klinikën Universitare të Obstetrikës dhe Gjinekologjisë “Majçin Dom” në Sofje. Atje u pritën nga drejtori, prof. dr. Ivan Kostov, i cili i njohu me punën e klinikës.
Sipas ministrit, bëhet fjalë për klinikën më të madhe të obstetrikës dhe gjinekologjisë në Bullgari, ku kryhen rreth 4.000 lindje dhe rreth 10.000 ndërhyrje gjinekologjike në vit. Klinika ka gjithashtu repartin më të madh për foshnjat e lindura para kohe dhe dhjetë salla operacioni.
“Biseduam për diagnostikimin prenatal dhe skriningun neonatal, urogjinekologjinë, kirurgjinë robotike gjinekologjike dhe onkogjinekologjinë. Shqyrtuam mundësitë për bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash në neonatologji dhe kirurgjinë robotike. Faleminderit për gatishmërinë për bashkëpunim!”, shkroi Klekovski në Facebook.