Kuvendi i dha mbështetje Taravarit për koalicion me opozitën, Taravari: Do ta mbajmë rrugën eurointegruese

Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët, i thirrur sot në Kumanovë nga lideri partisë, Arben Taravari, i ka dhënë mbështetje këtij të fundit për bashkëpunim parazgjedhor me opozitën shqiptare, në mënyrë që të angazhohet “për të çuar BDI-në në opozitë”. Megjithatë, Kuvendi i ka vendosur kusht Taravarit që të vazhdojë rrugën evropiane dhe të mos bëjë koalicon me forca anti-perëndimore, shkruan Portalb.mk.

“E mbështesim kryetarin Arben Taravari të ndjekë strategjinë më të përshtatshme për ta realizuar ndryshimin e shumëpritur. Si anëtarë të Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, ne kërkojmë me këtë mocion që dr. Arben Taravari të përkushtohet në formimin e një koalicioni fitues, duke marrë parasysh dy kushte:

1. Që ky koalicion të përbëhet nga parti dhe figura të pa korruptuara dhe të ketë në kontratën themeluese zotimin për ndryshim dhe për dërgimin e BDI-së në opozitë; dhe

2. Që ky koalicion të përjashtojnë bashkëpunimin paszgjedhor me forcat antiperëndimore, që nuk zotohen për ndryshime kushtetuese që Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë, për të vazhduar rrugën evropiane”, thuhet në deklaratën e lexuar në kuvendin e partisë, prej ku thanë se ajo është nënshkruar nga 75 anëtarë të Kuvendit.

Po ashtu u mbajt edhe mbledhja e Kryesisë së partisë në të cilën morën pjesë 17 nga gjithse 30 anëtarë sa numëron ky organ, njoftoi Taravari.

Të gjithë anëtarët e kryesisë, votuan pro qëndrimit të kuvendarëve dhe zgjodhën Bujare Abazin për shefe të shtabit zgjedhor të partisë.

Aleanca për Shqiptarët njoftoi se me këtë vendim, pushojnë së funksionuari organet partiake dhe se kompetencat kalojnë në shtabin qendror zgjedhor dhe shtabet komunale të cilat do të formohen në vijim.

Ndërkohë, Taravari tha se ka marrë mbështetje të madhe nga qytetarët për vendimin që ka marrë dhe i bëri thirrje edhe pjesës tjetër të partisë, të cilët kanë kundërshtuar vendimin e Taravarit për t’iu bashkuar opozitës, që t’i bashkangjiten atij.

“Dyert janë të hapura, në qoftëse janë bërë pishman, përsëri hajdeni me ne. Ne patjetër do ta mbajmë rrugën proevropiane dhe kjo është e pakontestueshme. E them me plotë përgjegjësi se, nuk bëhemi pjesë e një qeverie që nuk i bën ndryshimet kushtetuese dhe nuk e pranon fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian”, tha ai.

Taravari duke u sqaruar për qëndrimin e tij të publikuar në Faceobook, pas të cilit edhe shpërthyen përplaset publike brenda – partiake, ai tha se ishte vetëm propozim dhe jo vendim.

“Nuk kisha vendosur e dhashë si propozim. Thash ky është propozimi im dhe kërkojë përkrahjen tuaj”, sqaroi ai.

Ndërkaq, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, deklaroi para fillimit të mbledhjes që sot në Kumanovë është duke u mbajtur Kuvendi i Aleancës për Shqiptarët.

“Unë akoma nuk kam hyrë brenda. Siç shihet, salla është e stërmbushur. Pra, mendoj se janë mbi 85 përqind e anëtarëve”, deklaroi Aliu, duke shtuar që kjo mbledhje është duke u mbajtur me ftesën e kryetarit të ASH-së, Arben Taravarit.

Ai theksoi që kjo është mbledhje e Kuvendit të partisë.

“Logjikisht, nëse sonte është shumica, të shtunën nuk është legjitime”, deklaroi Aliu për takimin që është ftuar nga kryetari I Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela.

Aliu vlerësoi që kjo nuk është hera e parë që një parti tjetër, si BDI-ja, të ndikojë në parti tjetër, duke shtuar që pjesa tjetër e ASH-së që nuk merrë pjesë në mbledhje janë “pjesë e BDI-së në Aleancë për Shqiptarët”.

Ministri theksoi që nesër do të marrë pjesë në seancën për shkarkimin e tij, ku do të jep fjalimin e tij, përkundër që akoma nuk e di kush dhe pse ka kërkuar shkarkimin e tij.

Ndryshimi i ministrave nga Aleanca për Shqiptarët ndodhi pasi kreu i partisë Arben Taravari dhe kryetari i Kuvendit Qendror Ziadin Sela hynë në konflikt të hapur për koalicionin e mundshëm parazgjedhor me opozitën shqiptare.

Mexhiti dhe Aliu ishin në krah të Taravarit, ndërsa ministri i tretë i ASh-së në qeveri, ai i Drejtësisë Krenar Lloga, në krah të Selës. Asnjë shkarkim nuk u propozua për të.

Kryetari i partisë Taravari ka paralajmëruar Kuvend Qendror për sonte si kundërpërgjigje ndaj kuvendit të caktuar nga Sela për të shtunën. Taravari vetëm shkroi shkurt në Facebook – “ASH-ja i është bashkuar Ndryshimit…pjesa që mbetet është një BDI në hall!”.