Ministrat e ASH-së u ankuan për zhvillimet që ndodhën në seancën e Qeverisë: Shkarkime nga pozitat dhe mospërfillje

Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, së bashku me Ministrin për Shëndetësi, Fatmir Mexhiti, në orët e pasdites në konferencë për shtyp kanë njoftuar qytetarët për zhvillimet në seancën e fundit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Sot ju thërrasim që të ju informojmë që për fat të keq, Qeveria e Maqedonisë së Veriut për herë të parë funksionoi pa procedura dhe rregullore të Qeverisë, ku Artan Grubi ishte personi kyç që tregonte cila pikë duhet të kalon në Qeveri e cila jo”, deklaroi Aliu.

Ata treguan që dy ligjet e tyre që janë propozuar në Qeveri nuk janë proceduar, ndërkohë është propozuar shkarkimi i dy drejtorëve të kësaj partie.

“Disa projekte nga Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria për Shoqëri Informatike e Administratë, në të mirë të qytetarëve për digjitalizimin e proceseve, Artan Grubi nuk lejoi që të kalojnë në fazën e fundit, për arsye të panjohura”, deklaroi Aliu.

Ai shtoi që “në këtë seancë një nga pikat ishte edhe shkarkimi i dy drejtorëve të Aleancës për Shqiptarët zonja Bujare Abazin dhe zotëri Gazmend Abdija, njëra drejtoreshë në Postat e Maqedonisë dhe tjetri drejtor në Fondin për Investime të Huaja”, deklaroi Aliu.

Aliu tregoi që shkarkimin e tyre e kanë votuar edhe dy zëvendësministrat, Vjollca Berisha dhe Tiron Jajaga.

“Është e dukshme se nuk është në pyetje interesi publik i qytetarëve, por por hakmarrja politike”, tha Mexhiti.

Më herët, Aleanca për Shqiptarët në një komunikatë për media ka njoftuar se komisioni kadrovik i kësaj partie ka propozuar shkarkimin e dy ministrave.

Por, ata thanë që nuk do të dorëhiqen.

“Ne nuk do të dorëzojmë dorëheqje, e para për shkak se kemi punuar me transparencë dhe e dyta partia jonë nuk mund të kërkojë shkarkimin tonë sepse nuk ka bazë mbi çka mund të kërkojë këtë, sepse rezultatet flasin vet. Gjithashtu dua të ju njoftoj se që nga dje, një grup i Aleancës për Shqiptarët bëjnë presion të madh ndaj drejtorëve me qëllim që drejtorët të jenë në anën e tyre. “, deklaroi Aliu.

Taravari me opozitën, Sela kundërshton

Kujtojmë se përplasjet brenda partisë nisën kur kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, vendosi që të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare, Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Nga ana tjetër kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela i ka drejtuar akuza të rënda Taravarit, duke thënë se ai po mundohet që të përçajë partinë dhe se, në dy muajt e fundit nuk i ka thirrur organet e larta partiake, si dhe ka shtuar se, partisë nuk i duhet “kryetar rrjetesh sociale”. Sela, në konferencën e 3 shkurtit për shtyp kërkoi të shkarkohet Taravari pasi që sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë.

Pas kësaj përplasjeje, në oborrin e shtëpisë së kryetarit të Aleancës për Shqiptarët dje në mëngjes ishte gjetur plumb i pashkrepurndërkaq autoritetet policore po e shqyrtojnë rastin.

Pos këtyre rasteve, me 4 shkurt kishte edhe një incident tjetër, gjegjësisht drejtori i Agjencisë për Menaxhim me Pronat e Konfiskuara, kuadër i Aleancës për Shqiptarët, mbështetës i Selës ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht në një restorant në Tetovë nga Krenar Osmani, udhëheqës i tifo-grupit “Ballistës”, i afërt me TaravarinNebiu thotë se nuk e njeh Osmanin, ndërkaq motivi sipas tij, mund të jetë ose për profesionin që ushtron ose për partinë.