Ngjitëset e targave me shenjat NMK kanë mbërritur, nga nesër do të shpërndahen në stacionet e kontrollit teknik

Ngjitëset e tabelave të regjistrimit me shenjat NMK kanë mbërritur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vetëm katër ditë para afatit përfundimtar deri kur qytetarët duhet t’i vendosin në veturat e tyre, nëse duan që pas 12 shkurtit të udhëtojnë jashtë vendit, transmeton Portalb.mk.

Minsitria nga nesër do t’i shpërndajë në të gjitha stacionet për kontroll teknik të veturave në vend, prej ku qytetarët do të mund t’i marrin falas. Ngjitësen me shenjat NMK duhet ta kenë të gjitha veturat, tabelat e regjistrimit të të cilave janë me shenjën MK.

“Nga nesër do të fillojë procedura për shpërndarjen e ngjitësve me shënimin NMK deri te referentët për trafik në stacionet rajonale për kontroll teknik në gjithë shtetin prej ku qytetarët do të mund t’i marrin”, informuan nga MPB.

Ndërkohë, vazhdon kaosi në pikat për nxjerrjen e dokumenteve personale dhe atyre të udhëtimit.

Duke qenë se pika për nxjerrjen e letërnjoftimeve në stacionin “Prolet” tashmë funksionon vetëm me termin, linjat e telefonit për termine hapur, ndërsa termine nuk mund të caktohen as online, pasi ka probleme teknike. Qytetarët ankohen se humbin orë e orë në telefon për të marrë termin për nxjerrjen e dokumenteve personale, por që dy ditët e fundit është thuajse e pamundur.

Redaksia e Meta.mk ka telefonuar në numrin 072 929 292 saktësisht 204 herë në periudhën nga ora 11 deri në 13:10, por nuk u arrit të merret termin. Më shpesh, numri është i zënë dhe fiket pas disa sekondash. Nëse jeni me fat dhe këmbëngulës, mund të arrini në pjesën ku zgjidhni gjuhën në të cilën dëshironi të flisni me operatorin, por më pas do të dëgjoni muzikë kot derisa telefonata të mbyllet.

Ndryshe, të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut duhet të ndryshojnë dokumentet personale deri më 13 shkurt të vitit 2024. Ndryshimi i dokumenteve buron nga Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë më 17 qershor 2018, e cila u dha fund mospajtimeve të kamotshme mes dy shteteve.

Në mars të vitit të kaluar, letërnjoftimi prej 190 denarë është shtrenjtuar 310 denarë. Pasaporta për personat mbi 27-vjeç nga 1.500 në 2.000 denarë, ndërkaq patenta e shoferit prej 280 në 410 denarë.