KF Shkupi nesër do të kthehet në stadiumin e Çairit, ekipi vendosi që biletat të jenë falas për gjithë tifozët
Stadiumi i Çairit nuk i plotësonte kushtet për zhvillimin e ndeshjeve të Ligës së Parë. Kështu e pati vlerësuar Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), për çka edhe KF Shkupi të gjitha ndeshjet e këtij sezoni nuk i ka luajtur në Çair, transmeton Portalb.mk.
“Pas gjashtë xhirove kthehemi në shtëpi, për të zhvilluar ndeshjen e parë si nikoqir në Çair, të shtunën përballë Makedonija Gjorçe Petrovit, në prani të tifozëve dhe nën monitorimin e VAR-it”, njoftoi KF Shkupi.
KF Shkupi të shtunën do të luajë kundër Makedonija Gj.P. duke filluar nga ora 15:30 në Çair. Vendasit kanë vendosur që hyrja për këtë ndeshje të jetë falas për të gjithë.
“Shvercera, këtë të shtune rikthehemi në shtëpinë tonë. Është koha për të ndihmuar ekipin tonë drejtë fitores dhe të arkëtojë pikët e para. Koha e fundit për mobilizim të përgjithshëm!”, njoftoi tifogrupi i Shvercerave, të cilët paralajmëruan takim pas ndeshjet me qëllim zgjerimin e kryesisë së grupit.
Në kuadër të javës së shtatë do të luhen edhe pesë ndeshje tjera. Të dielën Shkëndija do të luajë kundër Tikveshit, ndërsa Vardari kundër Rabotniçkit. Të hënën do të kemi edhe dy ndeshje tjera: Akademia – Arsimi dhe Sileks – Struga, kurse të hënën do të luhet ndeshja Pelister – Bashkimi.
Kampion i Ligës së Parë në sezonin 2024/25 është shpallur Shkëndija e Tetovës, ndërsa Vardari është fitues i Kupës. Në sezonin 2025/26 në Ligën e Parë do të luajnë Shkëndija, Struga, Shkupi, Bashkimi dhe Arsimi që u kualifikua nga Liga e Dytë për herë të parë.
Kupa e Maqedonisë së Veriut garat do t’i zhvillojë më 24 shtator dhe 29 tetor.