LSDM mbajti kongresin e saj partiak, ku u miratua platforma programore me titull “Shteti yt, mundësia jote”. Nga partia njoftuan se dokumenti përmban qëndrimet dhe prioritetet e tyre politike për periudhën e ardhshme, transmeton Portalb.mk.
Sipas LSDM-së, platforma fokusohet në çështje si standardi jetësor, lufta kundër korrupsionit, përmirësimi i funksionimit të institucioneve dhe integrimi evropian i vendit.
Në kongres u prezantuan edhe propozime për politika që lidhen me rritjen e pagave, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, sistemin tatimor, gjyqësorin, shëndetësinë dhe arsimin.
Partia iu referua edhe të ashtuquajturës “Nisma e Shkupit”, për të cilën tha se synon bashkëpunim më të gjerë me forca politike progresive në rajon dhe Evropë.
Nga LSDM theksuan se integrimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore politike të partisë, ndërsa u angazhuan për politika që, sipas tyre, do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe forcimin e institucioneve në vend.
“Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë nga ky moment e tutje duhet të ushtrojë presion të fortë, të vazhdueshëm dhe të përgjegjshëm ndaj pushtetit në tre drejtime. Së pari, të kërkojë plan të qartë shtetëror për hapjen e klasterëve dhe kapitujve në negociata. Së dyti, të ofrojë alternativë socialdemokrate ndaj këtij stagnimi ekonomik dhe institucional. Së treti, të mobilizojë të gjithë opinionin progresiv – jo vetëm anëtarësinë e partisë, por edhe sindikatat, sektorin civil, profesionistët dhe të rinjtë”, theksoi në fjalimin e tij kryetari i partisë Venko Filipçe.
Ai kritikoi pushtetin se me qeverisjen e tij demokracia po zbehet dhe kostot e jetesës po rriten, duke dërguar edhe mesazh të hapur.
“Koha e justifikimeve ka mbaruar. Maqedonia nuk ka më vite për të humbur. Nëse nuk jeni të aftë ta shfrytëzoni momentin, nëse nuk jeni të aftë ta lëvizni shtetin përpara, nëse nuk jeni të aftë të ndërtoni besim, atëherë largohuni nga rruga e shtetit. Sepse Maqedonia nuk duhet të jetë peng i pavendosmërisë suaj”, u shpreh Filipçe.