Trotinetët elektrikë u zhdukën nga rrugët e Tetovës, Kasami: Janë duke u servisuar, do ketë shtigje të reja për biçikleta
Ende pa u bërë një vit që nga lëshimi në përdorim, 100 trotinetët elektrikë që qytetarët mund t’i merrnin me qira, u zhdukën nga rrugët e Tetovës, autoritetet thonë se janë duke u riparuar. Vetëm vitin e kaluar në Tetovë janë regjistruar 14 aksidente të trotinetëve elektrikë, ndërsa këtë vit 7, Portalb.mk.
I pyetur për këtë, kreu i komunës Bilall Kasami tha se të njëjtit janë në servisim dhe se së shpejti do të rikthehen në qarkullim.
“Do të kthehen shumë shpejt. Janë mjete komunikacioni që shfrytëzohen në kushte atmosferike. Operatori që ka marrë të drejtën për vendosjen në qarkullim të atyre ka bërë servisimin dhe riparimin e gjithë atyre sepse fatkeqësisht një pjesë e madhe e tyre janë dëmtuar dhe unë besoj që shumë shpejt do të rikthehen përsëri në qarkullim”, theksoi Kasami.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë thonë se në zonat urbane në mbarë rajonin e SPB Tetovë vërehet prani e shtuar e qytetarëve që ngasin trotinetë elektrikë.
“Të dhënat statistikore tregojnë për një rrezik të vazhdueshëm në terren. Gjatë vitit të kaluar 2025, në rajonin e SPB Tetovë janë regjistruar gjithsej 37 aksidente trafiku me pjesëmarrje të trotinetëve elektrikë, prej të cilëve 14 në Tetovë (TE) dhe 23 në Gostivar (GV). Se ky trend negativ po vazhdon e tregon edhe fakti që nga 1 janari deri më 17 maj të këtij viti tashmë janë regjistruar 9 aksidente të tilla trafiku, prej të cilëve 7 në rajonin e Tetovës dhe 2 në atë të Gostivarit. Këto shifra janë një sinjal i qartë për nevojën e një kujdesi më të madh dhe respektimit të rreptë të rregullave”, thonë nga SPB Tetovë.
Sipas Ligjit për Siguri në Trafikun Rrugor, të drejtë për të drejtuar trotinet elektrik kanë personat që kanë mbushur 14 vjet. Ata janë të detyruar të lëvizin në shtegun e biçikletave me shpejtësi deri në 25 kilometra në orë, ndërsa nëse nuk ka shteg të tillë, ekskluzivisht në trotuar me shpejtësi të ecjes së njeriut, përkatësisht deri në 6 kilometra në orë.
“Ndalohet rreptësisht transportimi i personave të tjerë ose fëmijëve në trotinet. Shoferi është i detyruar të mbajë helmetë mbrojtëse, ndërsa në kushte nate edhe jastëk (jelek) reflektues. Gjatë ngasjes ndalohet përdorimi i telefonit celular ose mbajtja e dëgjueseve në veshë”, thonë nga SPB Tetovë.
Me qëllim ngritjen e vetëdijes në trafik dhe mbrojtjen e të gjithë pjesëmarrësve, Sektori për Punë të Brendshme bën apel për respektim të rreptë të rregullave ligjore, duke kujtuar se drejtimi i këtyre mjeteve transportuese mbart një përgjegjësi serioze.
“Zyrtarët policorë në periudhën e ardhshme do të zbatojnë kontrolle të përforcuara aksionale në terren me qëllim sanksionimin e shoferëve të pandërgjegjshëm. Për shkeljet e konstatuara – siç janë lëvizja në sipërfaqe të ndaluara, tejkalimi i shpejtësisë, transporti i më shumë personave ose mosmbajtja e pajisjeve mbrojtëse – janë paraparë gjoba në para në vlerë prej 50 euro në kundërvlerë të denarit. Nëse trotineti drejtohet nga një person nën 14 vjeç, përgjegjësi përkatëse ligjore dhe sanksione mbajnë prindërit, përkatësisht kujdestarët e tij”, thonë nga SPB Tetovë.
Kujtojmë se dje në Tetovë, Më Mirë për Tetovën organizoi xhiro me biçikletë në qytet, nga ku qytetarët bënë apel që të krijohen më shumë shtigje për biçikleta.
“Tetova pothuajse s’ka fare shtigje për biçikleta dhe është e nevojshme që të ketë. Shumë nga ne përfshirë edhe veten time, shfrytëzojmë biçikletat për të lëvizur brenda ditës brenda qytetit, dhe sigurisht që nuk ndjehemi të sigurt shkaku që trafiku është i rënduar”, tha aktivisti Arianit Xhaferi.
Një qytetar që mori pjesë në xhiron me biçikleta apeloi që biçikletat të përdoren sa më shumë.
“Definitivisht është e nevojshme. Për siguri, kisha thënë që nuk janë kushtet dhe rendet aty ku janë. Nuk do të kisha thënë se ndjehem i sigurt”, tha ai.
Në ndërkohë, këshilltari komunal, Agron Arifi theksoi se me organizimin e xhiros dëshirojnë të përçojnë një mesazh që sa më shumë fëmijët t’i përdorin biçikletat dhe të largohen nga trotinetët elektrik.
“Veçanërisht një apel prindërve që fëmijëve nën moshën 18-vjeçare të mos ua lejojnë vozitjen e trotinetëve elektrikë, pasi paraqet rrezik”, tha Arifi.
Sot, kryetari i komunës, Bilall Kasami tha se janë duke përgatitur projekt për shteg për biçikletat dhe trotinetët elektrikë, por nuk dha detaje se kur kjo do të realizohet në terren.
“Jemi duke përgatitur projekt, gjysmën e projektit e kemi të realizuar, të rrugës së Ilindenit nga Universiteti i Evropës Juglindore deri në qendër, tani vazhdon pjesa tjetër nga qendra përmes bulevardit Iliria deri te kryqëzimi me bulevardin Bllagoja Toska dhe të vazhdojë deri te stadiumi, aty është duke u përgatitur projekti që njëra trase e rrugës të jetë për transportin publik dhe taksitë e licencuar, trotinetet dhe biçikletat”, tha Kasami.
Pavarësisht paralajmërimeve, në Tetovë ende nuk ka shtigje biçikletash. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami ka deklaruar në mandatin e kaluar se nuk është e rëndësishme nëse kjo do të bëhej deri në përfundim të mandatit, por me rëndësi është që zgjidhja të jetë e qëndrueshme.
Kujtojmë që në Tetovë në vitin 2021 u ndërtua shtegu i biçikletave përgjatë bulevardit “Ilinden” nga udhëheqësia e atëhershme e kryesuar nga Teuta Arifi.
Ky projekt pati shumë kritika për mënyrën e realizimit. Ndërkaq, me të ardhur në krye të Komunës, kryetari aktual Bilall Kasami e largoi këtë shteg në nëntor 2021 me arsyetimin se ka keqpërdorime në projekt.
Ai në janar 2022 dorëzoi edhe padi në Prokurori kundër Arifit.
Largimi i shtegut për biçikleta nxiti reagime të shumta në opinion se nuk duhej të largohej, madje edhe disa nga këshilltarët komunal e vlerësuan si të ngutshëm këtë veprim të Kasamit.
Ndërtimi i shtigjeve të biçikletave pati kritika të shumta nga qytetarët se të njëjtat do të vështirësonin më shumë komunikacionin në Tetovë. Bëhej fjalë për gjithsej 5.5 kilometër shteg për biçikleta në rrugën e “Ilindenit”, i cili ishte i gjerë 1 metër kurse pati kushtuar 3 milion denarë apo rreth 50.000 euro.
Pas largimit të shtegut të biçikletave në vitin 2021, që atëherë nuk është ndërtuar asnjë shteg i ri.