Shpenzimet e jetesës në RMV për një muaj u rritën me 0.6 përqind, ndërsa për një vit me 4.8

Indeksi i çmimeve të konsumit në maj të këtij viti u rrit me 4.8 përqind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Indeksi i çmimeve me pakicë, nga ana tjetër, u rrit me 5.6 përqind, sipas raportit të fundit nga Enti Shtetëror i Statistikave (ESHS), transmeton Portalb.mk.

Inflacioni i matur me indeksin e çmimeve të konsumit në maj, krahasuar me prillin e këtij viti, arriti në 0.6 përqind.

Në bazë vjetore, rritja më e madhe ishte në sektorin e transportit, i cili është më i lartë me 11 përqind. Pas tij vijnë pijet alkoolike dhe duhani, të cilat janë më të shtrenjta me 9.3 përqind.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë më të shtrenjta në bazë vjetore me 4.7 përqind, dhe pothuajse e njëjta përqindje çmimesh më të larta u paguan për mallrat shtëpiake, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtjen e rregullt të shtëpisë.

Kishte gjithashtu një rritje të konsiderueshme në sektorin e rekreacionit, sportit dhe kulturës, i cili është më i lartë me 5.5 përqind.

Në bazë mujore, sektori i transportit shënoi gjithashtu rritjen më të madhe – 1.6 përqind. Ushqimet dhe pijet joalkoolike ishin një përqind më të shtrenjta në një muaj, ndërsa çmimet e veshjeve dhe këpucëve ishin të njëjta.

Në maj, krahasuar me muajin e kaluar, një rënie e kostos së jetesës u regjistrua në grupet e mallrave shtëpiake, pajisjeve shtëpiake dhe mirëmbajtjes së rregullt të shtëpisë, kujdesit personal, mbrojtjes sociale dhe mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, të cilat janë më të ulëta nga 0.1 deri në 0.4 përqind.

Enti Shtetëror i Statistikave njoftoi gjithashtu se indeksi i çmimeve me pakicë në maj shënoi një rritje prej 0.8 përqind krahasuar me muajin e kaluar, dhe në bazë vjetore, indeksi i çmimeve me pakicë shënoi rritje prej 5.6 përqind.

Rritja më e madhe e çmimeve me pakicë në bazë mujore ishte tek produktet bujqësore, të cilat janë më të larta me 4.4 përqind.

Produktet ushqimore ishin gjithashtu 1.3 përqind më të shtrenjta në shkurt.

Dhe në bazë vjetore, rritja më e lartë e çmimeve është tek produktet bujqësore, me 6.7 përqind, ndërsa tek produktet industriale jo-ushqimore është më e lartë me gjashtë përqind.