Kryetari i Gjykatës Administrative me veturë zyrtare në restorant në orë të vona, gjykata mohon keqpërdorimin

Portalb.mk ka fotografuar mbrëmjen e djeshme veturën zyrtare me të cilën vozitet kryetari i Gjykatës Administrative të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të parkuar para një restoranti në Shkup jashtë orarit të punës, derisa kryetari i gjykatës Burim Sejdini ishte brenda restorantit. Përdorimi i automjetit shtetëror në këto rrethana ngre pikëpyetje për kufirin mes obligimeve zyrtare dhe keqpërdorimit të resurseve publike, megjithatë nga gjykata arsyetohen se vetura është përdorur për çështje zyrtare.

Kamera e Portalbit kësaj here kapi veturën zyrtare të Gjykatës Administrative para një restoranti në Shkup mbrëmë rreth orës 22:00.

Nga Gjykata Administrative kërkuam se për çfarë është përdorur vetura në këtë orë të vonshme dhe nëse e njëjta është keqpërdorur.

Por, nga Gjykata Administrative u arsyetuan se vetura është përdorur për detyra zyrtare.

“Automjeti është përdorur në kuadër të detyrave zyrtare të Kryetarit të Gjykatës, i cili në përputhje me kompetencat ligjore e përfaqëson Gjykatën, ndërsa këto detyra zyrtare jo gjithmonë arrin t’i përfundojë gjatë orarit të punës. Automjeti është drejtuar nga personi zyrtar H. Xh., i autorizuar për ta drejtuar atë”, thanë nga Gjykata Administrative për Portalb.mk.

Pak ditë më parë, kamerës së Portalbit nuk i shpëtoi shkuarja e ministrit të Politikës Sociale Fatmir Limani me veturë zyrtare në mbledhjen partiake.

Periudhën e fundit, Portalb.mk ka parë shumë vetura zyrtare me të cilat voziten funksionarë dhe zyrtarë shtetërorë jashtë orarit të punës, kryesisht në mbrëmje në pjesë të ndryshme në Shkup dhe Tetovë.