Kërkesë e qartë e Antony Blinkenit për Kosovën dhe Serbinë

Kosova të tërheqë forcat policore, kurse Vuçiq të ulë nivelin e gatishmërisë së ushtrisë, ka kërkuar Sekretari Amerikan i Shtetit, Blinken. SHBA ka kritikuar qeverinë e Kosovës dhe ka dënuar dhunën e protestuesve serbë, transmeton DW.

Sekretari Amerikan i Shtetit Anthony Blinken, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit. Dhunën e së hënës kundër trupave të KFOR-it, forcave të policisë dhe gazetarëve, Blinken e dënoi fuqishëm dhe e quan të papranueshme. Ndërsa fajëson edhe qeverinë e Kosovës për acarimin e situatës. “Vendimi i qeverisë së Kosovëspër të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave, i acaroi thellë dhe pa nevojë tensionet”, u shpreh Blinken. “Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij, duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze tranzicioni, në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”, tha Sekretari Amerikan i Shtetit. Ndërsa nga Serbia Blinken kërkon që “Presidenti Vuçiq dhe qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së forcave ushtarake serbe dhe t’i bëjnë thirrje banorëve serbë të Kosovës të mos kundërshtojnë KFOR-in dhe të mos kryejnë veprime të dhunshme”. Shefi i politikës së jashtme të SHBA-së, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që “të ripohojnë menjëherë angazhimin për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve”.

Kurti i kundërpërgjigjet Blinken-it

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e kishte përmendur të premten e shkuar, se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”. Por, kjo deklaratë e Blinkenit, nuk i ka pëlqyer fare kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili në një intervistë për Guardian tha: “Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, është shprehur Kurti, duke shtuar se “Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”. Pas asaj deklarate, kryeministri Kurti tha se ka folur me telefon me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe edhe ky i fundit i ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që t’i dërgojnë kryetarët shqiptar të veriut në objekte të tjera, apo edhe të punojnë prej shtëpisë, kërkesë kjo që Kurti e ka refuzuar. “Nuk mund të kemi kryetarë me Zoom, ne jemi Republikë demokratike. Një republikë demokratike, nuk mund t’i dorëzohet milicisë fashiste”, ka thënë kryeministri Kurti.

Opozita kundër Kurtit

Partitë opozitare në Kosovë e bëjnë fajtor Altbin Kurtin për tensionim me aleatët e Kosovës, sidomos me SHBA-të. Ata i bënë thirrje kryeministrit që të tregojë maturi politike, dhe të ndryshojë qasjen ndaj aleatëve. Pasojat e para për Kosovën nga “tensionimi” i raporteve të qeverisë së Kosovës me SHBA-së, u ndjen qysh të martën, kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për Kosovën.

“Sot nuk ka pasur aktivitet për ‘Defender Europe ’23’ dhe nuk do të ketë. Për Kosovën, ato stërvitje kanë marrë fund”, tha ambasadori Hovenier, në një bashkëbisedim me disa gazetarë, duke iu referuar stërvitjeve më të mëdha ushtarake të aleatëve të NATO-s në rajonin e Ballkanit ku bënte pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës FSK. “Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri dhe ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave dhe ne jemi duke analizuar se cilat do të jenë veprimet tona tjera”, tha ambasadori Amerikan në Kosovë Jefry Hovenier.

Kërkesat e Serbisë

Serbia ka vazhduar të përsërisë qëndrimin, se kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, duhet të largohen nga ndërtesat komunale dhe se njësitë speciale të Policisë së Kosovës duhet të largohet nga veriu. Këtë kërkesë të Serbisë e përsëriti shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pas një takimi që zhvilloi në Beograd me ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës në Serbi, ku kritikoi KFOR-in për mosreagim, por, nuk përmendi sulmin e protestuesve serbë ndaj forcave Paqeruajtëse KFOR. “Incidentet e 29 majit do të mund të parandaloheshin nëse KFOR-i do ta përmbushte mandatin e tij të premten, që t’i parandalonte kryetarët e paligjshëm, si dhe anëtarët e forcës speciale të Policisë së Kosovës”, tha Petkoviq.

Të hënën më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në komunën e Zveçanit. Tre ushtarë të KFOR-it, u plagosën me armë zjarri. Për shkak të situatës së tensionuar në veri të Kosovës, NATO, vendosi që të shtojë numrin e trupave të saj në Kosovë. 700 trupa shtesë do të angazhohen nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, e cila ka qenë në gjendje gatishmërie për angazhim. Sipas NATO-s, vendimi për shtim të numrit të forcave është marrë që KFOR-i të mund të garantojë sigurinë, në përputhje me mandatin që ka. “Dhuna duhet të ndalet, dhe të gjitha palët duhet të shmangin veprime që minojnë paqen në Kosovë”, ka thënë Admirali Stuart B. Munsch, komandant i NATO-s për forcat në Napoli, i cili njëkohësisht ka përgëzuar ushtarët e KFOR-it për reagimin e shpejtë dhe të përmbajtur, për të parandaluar trazirat dhe për të shpëtuar jetë.