Dita e dytë e Forumit energjetik 2023, Pendarovski: Vendet tona duhet të gëzojnë privilegjet e tregut të përbashkët evropian

Sot mbahet dita e dytë e Forumin për energjetikë 2023 në Shkup me temë “Përmirësimi i trekëndëshit Politika-Financa-Teknologjia Energjetike për elasticitetin e energjisë dhe tranzicionin e gjelbër”. Në Forum mori pjesë edhe Presidenti Stevo Pendarovski. Ai foli në panelin “Vende të vogla – tranzicione të mëdha: lidershipi energjetik në kohë sfiduese”, së bashku me ish-presidentin e Republikës së Kroacisë, Stjepan Mesiq. Presidenti Pendarovski theksoi se shtetet e vogla vështirë se mund të ndikojnë në skenën globale dhe mënyra e vetme për të projektuar interesat e tyre përtej kufijve të tyre është pjesëmarrja në organizatat ndërkombëtare, transmeton Portalb.mk.

Në këtë kontekst, presidenti theksoi rëndësinë e anëtarësimit tonë në NATO, duke theksuar se energjia është një segment i rëndësishëm në sigurinë e përgjithshme, si dhe mbështetjen që marrim nga Bashkimi Evropian.

Presidenti theksoi se megjithëse jemi në proces të negociatave për anëtarësim dhe nuk jemi ende anëtar zyrtar, BE-ja përmes programeve të saj e ka lidhur vendin tonë me tregun pan-evropian të energjisë, duke shtuar se është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne si një vend i vogël që varet nga importet e energjisë për të qenë pjesë e tregut energjetik të kontinentit përpara se të bëhet pjesë e Unionit.

Në panel diskutim, presidenti theksoi se tregu global i energjisë është i ndërprerë kryesisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës dhe nuk ka perspektivë që ai të stabilizohet së shpejti, duke theksuar se lufta në Ukrainë ka ngadalësuar edhe tranzicionin e gjelbër. Ai nënvizoi se e vetmja mundësi për vendet e vogla është që të kenë sa më shumë burime të brendshme të energjisë dhe të jenë sa më pak të varura nga importi.

“Fatkeqësisht ne jemi ende një vend shumë i varur, prej dekadash nuk është bërë asnjë investim në kapacitete të reja energjetike, kapacitetet ekzistuese që kemi nuk mund të prodhojnë maksimumin e tyre, sepse janë të amortizuara dhe të vjetra. Së pari, duhet të rrisim burimet autonome të brendshme të energjisë dhe së dyti, përmes grupimeve rajonale, apo iniciativave për të hyrë në tregjet më të gjera, në aspektin energjetik dhe këtë po e bëjnë pothuajse të gjitha vendet e rajonit. Konkretisht për ne, flasim për vënien në punë të interkonjektorit Greqi-Maqedonia e Veriut”, tha presidenti Pendarovski, duke shtuar se vënia në punë e interkonjektorit Greqi-Bullgari hap një mundësi më të madhe për të gjithë rajonin tonë.

Në diskutim, presidenti vuri në dukje se në të njëjtën kohë duhet të punohet për forcimin e ndërgjegjësimit të publikut për kursimin e energjisë, ndryshimin e zakoneve dhe gjetjen e burimeve alternative të rinovueshme të energjisë, duke theksuar njëkohësisht se vendi ynë ka qenë lider në rritjen e burimeve të rinovueshme të energjisë në dy vitet e fundit.

Vendet tona, theksoi presidenti Pendarovski, duhet të kërkojnë të gëzojnë privilegjet e tregut të përbashkët evropian.

“Është shumë e rëndësishme si një mesazh politik simbolik për qytetarët tanë në rajon, kur vjen një krizë si kjo, si ajo e shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, apo si ajo e mëparshme me Covid-19, që njerëzit të kuptojnë se ne jemi de facto anëtarë të BE-së, Brukseli të na trajtojë sikur të jemi anëtarë de facto dhe jo të thotë – këto privilegje do t’i keni në tregun e përbashkët evropian, apo në tregun e energjisë, që kur bëheni shtete anëtare”, apeloi presidenti. 

Ai konkludoi se vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë të pavarur me burimet e tyre të brendshme, nuk mund ta zgjidhin këtë lloj problemi dhe duhet të jenë pjesë e BE-së, duke theksuar se, për fat të keq, interesi i Brukselit për rajonin tonë ka rënë në mënyrë drastike vitet e fundit, ndërsa kjo ka shkaktuar rënie të mbështetjes dhe rritje të euroskepticizmit tek qytetarët e vendeve tona.

Forumi Energjetik i Maqedonisë është iniciativë e përbashkët e Institutit ZIP, Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut.

Ky forum filloi në vitin 2018 si një iniciativë që duhej të nxiste dialog të rregullt formal për tema të ndryshme që lidhen me energjinë, për të kontribuar në qartësimin e interesave të investitorëve të energjisë në këtë rajon dhe për të ofruar zgjidhje alternative lidhur me pozicionet gjeostrategjike energjetike.