Jurisprudenca në shqip: BDI kërkon zbatimin e ligjit dhe jo nisma të reja, VLEN: Opozita ju hapi sytë për dështimet tuaja

Çfarëdo iniciative e re që synon të anashkalojë zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimet për kandidatët juristë përbën një mashtrim të madh dhe një përpjekje për të shmangur obligimet që burojnë nga ligji. Kështu kanë reaguar sot nga Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me çështjen e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës. Reaguan nga VLEN, thonë se BDI-së vonë i është kujtuar për gjuhën shqipe, raporton Portalb.mk.

Nga BDI thonë se çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në këto provime nuk është çështje që kërkon zgjidhje të reja, iniciativa të reja apo interpretime të reja, por kërkon vetëm zbatim të ligjit ekzistues.

“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lex specialis dhe si i tillë ai zbatohet drejtpërdrejt dhe ka përparësi në raport me ligjet e tjera. Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë në situatat që i parasheh, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Për këtë arsye, çdo iniciativë për harmonizim të ligjeve të tjera me arsyetimin se vetëm pas harmonizimit mund të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe përbën shkelje të rendit juridik dhe relativizim të një të drejte të garantuar me ligj”, thonë nga BDI.

Ata shtojnë se qëndrimi se problemi zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht me nenin 23 paragrafët 4 dhe 5, të cilat tashmë e rregullojnë qartë përdorimin e gjuhës dhe nuk lënë asnjë hapësirë që kjo e drejtë të kushtëzohet me harmonizim të ligjeve apo me kërkesë nga kandidati.

“E drejta e përdorimit të gjuhës nuk është favor, por e drejtë e garantuar dhe nuk mund të varet nga procedura shtesë administrative apo interpretime të gabuara. Problemi real nuk është mungesa e harmonizimit të ligjeve, por mungesa e vullnetit për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, theksuan nga BDI.

Lidhur me këtë reagim të BDI-së nga VLEN ka reaguar kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, i cili thotë se provimi i jurisprudencës është mbajtur gjithmonë në maqedonisht dhe BDI nuk e ngriti asnjëherë këtë çështje

Përmes një postimi në Facebook, Beqiri parashtroi disa pyetje publike, duke vënë në fokus periudhën nga viti 2002 deri në vitin 2024, kur sipas tij, funksionarët e BDI-së kanë qenë pjesë e institucioneve dhe proceseve shtetërore. Ai theksoi se provimi i jurisprudencës gjatë gjithë kësaj periudhe është mbajtur në gjuhën maqedone, ndërsa, sipas tij, të gjithë funksionarët e BDI-së e kanë dhënë provimin në këtë gjuhë.

“Provimi i jurisprudencës gjithmonë është mbajtur në gjuhën maqedone, të gjithë funksionarët e BDI-së e kanë dhënë provimin në maqedonisht, dhe asnjëri ministër shqiptar i drejtësisë nga radhët e BDI-së asnjëherë nuk e ngriti nevojën për ta zgjidhur këtë çështje. Kaosi i problemeve të trashëguara nga keqqeverisja juaj është i madh. Ne do t’i zgjidhim një nga një”, tha Beqiri.

Në ndërkohë, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve pas mbikëqyrjes së jashtëzakonshme ia tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Drejtësisë në krye me Igor Fillkovin se nuk e kanë mundësuar dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe pavarësisht detyrimit ligjor dhe kushtetues.

Nga ana tjetër, Ministria e Drejtësisë nuk e ka ndërmend t’i zbatojë rekomandimet, por kanë parashtruar ankesë ndaj këtij vendimi.

Edhe Avokati i Popullit përmes lëndës që e hapi për këtë çështje, doli me propozim konkret për Qeverinë ku i kërkon që përmes ministrisë së Drejtësisë, të fillojë procedurë për ndryshimin tre ligjeve: Jurisprudencës, Noterinë dhe Përmbarimin, që të njëjtat të harmonizohen me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që ky provim të jepet edhe në shqip.

Ministria e Drejtësisë i tha Portalbit se i ka dorëzuar përgjigje Avokatit të Popullit, në të cilën është shpjeguar në detaje procedura për dhënien e provimit të jurisprudencës, dhe se provimi i jurisprudencës është provim profesional dhe jo procedurë administrative.

Kujtojmë se studentët shqiptar të juridikut në Maqedoninë e Veriut kanë paralajmëruar protesta në rast se nuk mundësohet që provimi i jurisprudencës të mbahet në gjuhën shqipe. Kjo nismë i ka unifikuar parlamentet studentore nga tre universitetet shqiptare në vend.

Ministria e Drejtësisë me në krye Igor Fillov vazhdimisht ka insistuar se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në gjuhën shqipe pavarësisht Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Ndërsa inspektimin e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve e kanë quajtur si presion.

Kryeministri Hristijan Mickoski edhe pse kishte deklaruar se studentëve duhet t’u mundësohet provimi edhe në shqip, pastaj tha se Ligji aktual nuk e lejon provimin e jurisprudencës në shqip dhe se është i gatshëm ta rregullojnë, por vendimin do ta japë Komisioni i Venedikut. Më 4 mars në Kuvend premtoi se do të bëhen ndryshime ligjore që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

Opozita shqiptare fillimisht dorëzoi propozim-ligji me të cilin propozuan që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, por më pas e tërhoqën me arsyetimin se duhet vetëm të zbatohet Ligji për përdorimin e gjuhëve. Opozita shqiptare dorëzoi në Kuvend edhe rezolutë.

Ekspertët dhe shoqëria civile kanë vlerësuar se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.