Janë mbledhur mbi 102 milionë denarë, Kryqi i Kuq pagoi mjete për familjet e viktimave në rastin Koçani

Deri më sot janë mbledhur 102.410.247,00 denarë. Kryqi i Kuq i RMV-së deri më tani ka paguar mjete për familjet e të gjithë personave të vdekur dhe të lënduar që po trajtohen jashtë vendit nga aksidenti tragjik në Koçan. Në bashkëpunim me Shërbimin për Çështjet e Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, është në proces grumbullimi i të dhënave për të lënduarit e shtruar në spitalet e vendit, transmeton Portalb.mk.

Pas marrjes së listave, pagesa e mjeteve do të bëhet menjëherë.

“Shpresojmë në fillim të javës së ardhshme. Menjëherë pas kësaj do të fillojë harmonizimi i kritereve për pagesën e pjesës tjetër të mjeteve për viktimat. Në vazhdimësi, Kryqi i Kuq vazhdon me ofrimin e mbështetjes psikosociale për popullatën e prekur përmes punësimit të mbi 100 psikologëve në bashkëpunim me Odën e Psikologëve të Maqedonisë. Në bashkëpunim me shkollat ​​organizohet mbështetje e përditshme për mësuesit dhe nxënësit për përballimin e situatës, si dhe pjesëtarë të zjarrfikësve dhe pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me kërkesë të universiteteve, Kryqi i Kuq organizon trajnime për ndihmën e parë dhe ndihmën e parë psikologjike për studentët”, thonë nga Kryqi i Kuq.

Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës dhe Odën e Psikologëve të Maqedonisë, Kryqi i Kuq në periudhën e ardhshme do të realizojë aktivitete për edukimin e studentëve, stafit mësimdhënës dhe profesional për përballimin e situatave stresuese, identifikimin me kohë dhe zvogëlimin e cenueshmërisë të shkaktuar nga krizat dhe situatat emergjente, si dhe zbutjen dhe eliminimin e pasojave për shëndetin mendor në situata krize dhe emergjente.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në një lokal nate në Koçani, kanë humbur jetën 59 persona, ndërsa kishte 196 të lënduar që trajtohen brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.