Ministria e Kulturës në RMV shpalli konkurs për financimin e projekteve me interes kombëtar në kulturë

Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Ljutkov, sot në një konferencë për media informoi se është shpallur Konkursi i ri për financimin e projekteve për zhvillimin e industrive kreative. Ai tha se konkursi është një nga hapat për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm të industrive kreative dhe fondet do të drejtohen në projekte për krijimin ose përmirësimin e aktiviteteve kulturore të rëndësishme për komunitetin dhe pasurimin e skenës kulturore lokale përmes zgjidhjeve inovative dhe kreative, transmeton Portalb.mk.

“Me Konkursin që e shpallëm sot, do të ofrojmë mbështetje financiare për projekte që do të stimulojnë zhvillimin e industrive kreative, duke krijuar mundësi të reja për sipërmarrësit, artistët e rinj dhe ekipet krijuese. Ajo do të inkurajojë punësime të reja, do të rrisë konkurrencën e industrive tona kreative në tregun global dhe do të zhvillojë turizmin kulturor”, tha ministri Ljutkov.

Ai përkujtoi se në periudhën nga viti 2013 deri në vitin 2017, Ministria e Kulturës ka shpallur pesë konkurse vjetore për financimin e projekteve në fushën e industrive kreative, gjatë të cilave janë mbështetur financiarisht rreth 270 projekte.

“Fatkeqësisht, që nga viti 2018, Qeveria e kaluar dhe Ministria e Kulturës kanë margjinalizuar plotësisht aktivitetet për promovimin dhe mbështetjen e industrive kreative, të cilat si një nga sektorët më dinamikë dhe me rritje të shpejtë në ekonominë globale kanë potencial të madh për të ndikuar në rritjen ekonomike, përfshirjen sociale dhe zhvillimin e diversitetit kulturor”, tha Ljutkov.

Ai u bëri thirrje krijuesve dhe organizatave që të aplikojnë dhe të shfrytëzojnë mundësinë për të realizuar idetë dhe projektet e tyre.

“Shoqëria jonë ka një potencial të madh dhe së bashku mund të kontribuojmë në përmirësimin e progresit kulturor, ekonomik dhe turistik që na nevojitet. Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të vazhdojë të punojë në mbështetjen e projekteve që afirmojnë kulturën dhe krijojnë vlera të reja në shoqëri”, tha Ljutkov.

Konkursi për financimin e projekteve për zhvillimin e industrive kreative është publikuar në faqen e internetit të Ministrisë.