Nëpër Luginën e Nilit

Shkruan: Muhamed Jashari

Udhëtari ndodhet ndërmjet dy tablove, sidomos kur bëhet fjalë për vendet ekzotike. Tablonë që e krijon në imagjinatën e tij për vendin ku do të shkojë dhe atë tablonë reale që e sheh sapo arrin në destinacion e duhur.

Kur lëshohesh nga pjesa veriore e Deltës së Nilit, vazhdon të rrëfej bashkudhëtari, kryesisht tre drejtime të çojnë ne Kajro:

• Rruga e Shkretëtirës – ky është aksi rrugor nga Aleksandria drejt kryeqendrës egjiptiane;

• Rruga Bujqësore – që kalon nëpër Mansura – dhe këtu kam mundësi te shoh nga afër fusha të shumta me gjelbërime dhe të mbjella, pemë të pallmave, fshatarë që me mjete të improvizuara mundohen t’i ujisin kopshtet me ujin që vjen nga degët e Nilit. Dhe kur nëpër dorëshkrimet e historisë na thuhet që Egjipti është konsideruar grunari i Kostandinopojës qoftë për romakët apo më vonë edhe osmanët, i bie që fjala është pikërisht për këto fusha të Luginës së Nilit.); dhe

• Rruga e Bregdetit që kap zonën nga qyteti i Port Saidit e lëshohet rreth kanalit të Suezit për të vazhduar më tej rreth brigjeve të Detit te Kuq. Për fatin tim të mirë, nëpër dy drejtimet e fundit kam pasur mundësi te udhëtoj.
Rruga është e gjatë. Ndonjëherë monotone, por ia vlen nga xhamat e makinës t’i shohësh vendbanimet e ndryshme të Egjiptit. Herë pas here bisedoj me shoferin e makinës, (edhe pse me vështirësi e kuptoja arabishten egjiptiane), për jetën sociale, ekonomike dhe për përditshmërinë. Edhe ashtu çështjet e tjera nuk më interesonin. Habitem më thotë, sesi ka nga turistët të cilët Egjiptin e vizitojnë vetëm për të kaluar pushimet në bregdet, kryesisht në Detin e Kuq. Këtu kemi vende historike mijëravjeçare. Madje, në brendi të Egjiptit, më rrëfen, keni peizazhe të bukura dhe mundësi që të shihni afërsinë e shkretëtirës me gjelbërimet, që rrallëkund ndodh!

Ju jeni banor i Kajros, i them? Vij nga Shubra Al-Khaima, paralagje e Kajros, ma kthen. Në fakt ky ishte vendi që Muhamed Ali Pasha nga Kavalla dikur e kishte ndërtuar pallatin për të qëndruar larg zhurmës së Kajros. Me aq sa munda ta vërej, Muhamed Aliu ynë gëzonte një respekt tek banorët e zakonshëm dhe u pajtuam që ai na shërben si një urë lidhëse dhe komunikuese ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj egjiptiane.

Para se të futemi në brendi të qytetit, shoferit të makinës ia bëj me dije që duhet të kalojmë në Necropolis, në kompleksin e piramidave në Giza. Vizitorë të shumtë nga vise të ndryshme të globit që prisnin radhë të gjata për t’ia mësyrë Trekëndoreve gjigande të ndërtuara nga dinastia IV e faraonëve. Përmasat aq të mëdha të këtyre ngrehinave të bëjnë të kuptosh që për faraonët ndërtimi i tyre ishte të ushtruarit e pushtetit absolut mbi njerëzit që i kishin nën sundim, ashtu siç pohon Clive Lewis në “Abolution of Men”, se çdo brez ushtron pushtet mbi pasardhësit e vet. Dhe nga ky rregull nuk bën përjashtim as Napolon Bonaparta ku disa milje më tutje kompleksit e zhvilloi atë që historiografia e quan Beteja e Piramidave. Megjithatë, kur ndodhesh në Necropolis, nuk ka sesi të mos vijnë në mendje citate të librit të shenjtë ku aludohet në përfundimin e epokës së tyre edhe pse, “Ata ishin edhe më të fuqishëm … dhe lanë më shumë gjurmë në tokë” (40:21).

Në pasditë ndodhem në Kajro. Kajroja të rrëmben. Qytet i zhurmshëm, trishtues nga turma aq e madhe e njerëzve. Kur nga dritarja e makinës sheh Nilin dhe në anën tjetër duket Cairo Tower me vete them se këtu zunë fill rrëfenjat biblike e kur’anore mbi Mojsiun/Musain.

Duke kaluar nëpër sheshin e njohur Tahrir kaloj në pjesën e vjetër të qytetit, në Fustatin e dikurshëm. Sundimtarët e hershëm myslimanë e quajtën Fustat, me shumë gjasë e importuan këtë emërtim nga lat. fossatum gjegjësisht gr. phossatun që nënkupton kamp. S’e imagjinoja dot që njerëzit nuk i kushtojnë aq rëndësi rregullave të komunikacionit.

Në kompleksin e xhamisë Al Azhar agjëruesit bënin përgatitje për ta ndërprere agjërimin e ditës, kurse më andej lokalet e ndryshme ofrojnë ushqimet tradicionale me erëza të llojllojshme që nuk isha i përshtatur t’i shijoja. Në tregun e vjetër Ataba sa për kuriozitet timin doja që t’i shikoja rrugicat dhe dyqanet e tregtarëve, kurse thirrja e shitësve për t’i tërhequr myshterinjtë drejt mallit më ngjau me Bit Pazarin e Shkupit. Dhe papritmas thirrja për lutje merr jehonë. Tek muezinët e Kajros hynte në punë, siç e pohon Ismail Faruku në “Atlasin kulturor” edhe inxhinieria e zërit. Ezani duket se nuk duhet të jetë vetëm thirrje pa shije, e pa sens, që mund të ngjallë neveri, por mbi të gjitha ai duhet të jetë zë tërheqës për dëgjim edhe për ata që nuk janë të interesuar t’i bashkohen lutjes. Nëpër sokakët e ngushtë të Kajros së Vjetër sheh copëza të dinastive të ndryshme që zotëruan Egjiptin, duke filluar nga abasidët, fatimidët, memlukët e osmanët. Kështu, faltoret si ajo e Ibn Tulunit, Sulltan Hasanit e Muhamed Aliut që qëndron mbi citadelë janë gjurmë të po këtyre historive. Me aq shumë mjeshtri dhe kompetencë flet për detalet arkitekturore të tyre autori zviceran Titus Burckhardt.

Në pjesët e vjetra të qytetit mund t’i shohësh edhe lagjet gjysmë-urbane ku rëndom mbretëron kaosi, rrëmuja, tollovia, e moskujdesi ndaj pastërtisë. Mendoj më vete kur në këtë pjesë ndodhet një qendër e rëndësishme e teologjisë myslimane në botë, a nuk duhet njerëzit dhe banorët t’i kushtojnë rëndësi pastërtisë, rendit, qetësisë!?
Megjithatë, në shumë pjesë të Kajros (Zayed City, 6 October, Heliopolis, Kairo Xhadid etj.) që duket se janë ndërmarrje të shtetit, sheh ngritjen e qytezave të reja që janë ndërmarrë viteve të fundit dhe meritojnë vlerësim; lagje me planifikim të bukur urban, rrugë të gjera, qendra të ndryshme tregtare me brendet e njohura botërore, aeroporte e çka jo tjetër. Jepet përshtypja që vendet në zhvillim e kanë të domosdoshme ndjekjen e trendëve bashkëkohore, pavarësisht që janë prapa shteteve të Perëndimit.

Në mesnatë duhet ta braktis Kajron. Sa më lart që ngjitet aeroplani, qytetet dhe rrugët egjiptiane kuqëlojnë deri sa e lë territorin afrikan dhe futet mbi ujërat e Mesdheut.