Izet Mexhiti: Jemi në bisedime me Aleancën për koalicion, nuk e përjashtoj Osmanin si kandidat për president të RMV-së

Në konferencën e sotme për media të koalicionit “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”, kryetari i “Lëvizjes Demokratike” Izet Mexhiti tha se janë në takime me partinë politike “Aleanca për Shqiptarët” që t’i bashkangjiten opozitës shqiptare në koalicion. Sa u përket zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit, ai tha se nuk e përjashton Rufi Osmanin si kandidat për president të RMV-së. Ndërkaq, theksoi se BDI është pengesa kryesore për integrimin në Bashkimin Evropian , duke folur për reagimin e ambasadorit holandez Dirk Jan Kop në lidhje me përzierjen e politikës në gjyqësor gjatë takimin me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, Portalb.mk.

Kryetari i “Lëvizjes Demokratike” Izet Mexhiti, i pyetur nga gazetarët nëse “Aleanca për Shqiptarët” do t’i bashkangjitet koalicionit të LEN, tha se janë në takime intenzive me kryetarin e ASH-së, Arben Taravari e presin prej tyre të vendosin nëse do t’i bashkëngjiten opozitës.

“Sa i përket koalicionit, është e qartë se ky koalicion ka katër subjekte, Lëvizjen Demokratike, Lëvizjen Besa, Alternativën dhe Vetëvendosjen. Jemi në takime intenzive me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët , Arben Taravarin në organet e kësaj partie do të vendosë  nëse do t’i bashkëngjitet opozitës apo do mbetet me opsionin qeveritar.” tha Mexhiti.

I pyetur për ofertën që Lidhja Europiane për Ndryshim i ofron Aleancës për Shqiptarët, Mexhiti tha se interesi i tyre është që Aleanca t’i bashkëngjitet opozitës për të sjellur ndryshim.

“Opozita shqiptare brenda këtyre katër subjekteve nuk ka folur për numra, i kemi tejkaluar ngjyrat individuale, ngjyrat partiake, oferta jonë është që ti bashkëngjitet opozitës shqiptare për të sjellë ndryshimin që pritet nga qytetarët, sidomos nga Aleanca për Shqiptarët e cila është themeluar, është ngritur mbi politikat anti- Bashkimit Demokratik për Integrim. Dhe këtë e flasin edhe anketat e tyre ku mbi 2/3 e votuesve të anëtarësisë së Aleancës për Shqiptarët e duan bashkimin me opozitën shqiptare” tha Mexhiti.

Izet Mexhiti: Nuk e përjashtoj Rufi Osmanin si kandidat për president të RMV-së

Në konferencën e sotme për media të koalicionit “Lëvizja Evropiane për Ndryshim”, kryetari i “Lëvizjes Demokratike” parti kjo pjesë e koalicionit opozitar, Izet Mexhiti i pyetur nga gazetarët nëse opozita shqiptare do të ketë kandidat në zgjedhjet presidenciale të 24 prillit, dhe nëse ai do të jetë Rufi Osmani, ai tha se nuk e përjashtojnë si kandidat por ende janë në bisedime dhe se personi do të jetë inkluziv që të përfaqësojë shqiptarët në Maqedoni,

Nuk e përjashtoj, ka pasur bisedime. Do të jetë kandidat gjithëpërfshirës, inkluziv, që në mënyrë dinjitoze do t’i përfaqësojë si kandidat për president, shqiptarët në Maqedoni.”, tha Mexhiti.

Lidhja Europiane për Ndryshim: BDI është pengesa kryesore e integrimit në BE

Mexhiti duke përmendur reagimet e ndërkombëtarëve, tha se BDI përmes ambasadorit holandez, Dirk Jan Kop, ka bërë të ditur se ata janë pengesa për integrimin në Bashkimin Evropian.

Ai përmendi reagimin e ambasadorit të BE-së, David Gir se po keqpërdoret flamuri Evropian, reagimin e ambasadores së SHBA-ve, Angela Ageler që ka thënë se në Maqedoni ekziston epidemi e korrupsionit, raportin e Komisionit Europian që konstatoi se në lidhje me korrupsionin në vend nuk ka pasur progres, duke theksuar se të gjitha këto askush nuk i ka marrë seriozisht por edhe kanë dashur të fajësojnë opozitën.

Mexhiti gjithashtu shtoi se takimi i ambasadorit të Holandës, Dirk Jan Kop dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmetit ka bërë me dije për popullin se BDI është pengesa kryesore për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian.

 “Takimi i djeshëm i ambasadorit të Holandës, shkëlqesisë së tij Dirk Jan Kop dhe Ali Ahmetit, si dhe porosia e përçuar në këtë takim nga ambasadori, edhe njëherë e bëri me dije para opinionit të gjërë se BDI është pengesa e vërtetë për integrimin e vendit në BE, me gjitha veprimet e tyre anti-europiane, anti-demokratike e me skandalet e tyre të njëpasnjëshme korruptive. Ky takim ishte goditja më e rëndë për gënjeshtrën e rradhës të BDI-së, për të ashtuquajturin Front Evropian. Shihet qartë se edhe partnerët ndërkombëtarë tashmë e kanë kuptuar mirëfilli se fjalët e BDI nuk përputhen me veprimet e tyre dhe manipulimi i tyre është ajo që i mban peng qytetarët e Maqedonisë së Veriut për të qenë pjesë e familjes Europiane.”, tha kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti.