Mijallkovi i bleu banesat e Mijallkovit në Vodno

Tre banesa dhe një garazh kaluan në pronësi të kompanisë të djalit të Sasho Mijallkovit. Kompania e Jordan Mijallkovit, “Best Way Investment”, është pronari i ri i tre banesave dhe i një garazhi në Vodno të konfiskuara nga babai i tij, ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov në rastin “Perandoria”, raporton Prizma.

Këto prona u shitën në muajin nëntor në një ankand publik përmes Agjencisë së Menaxhimit të Pronave të Sekuestruara, nga ku para shitjes mbajtën edhe një konferencë për shtyp në të cilën përcollën ankesat e tyre  se gjatë tentativave për shitje kanë qenë të kërcënuar nga pronarët e pronave.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurive të Konfiskuara, të cilat i kërkoi BIRN, dy banesat elitare në rrugën Sllavejko Arsov me sipërfaqe prej 73 metrash katrorë janë shitur për 102 mijë euro, ajo prej 78 metra katrorë për 107 mijë euro, ndërsa për garazhin me sipërfaqe prej tridhjetë metrash katrorë kompania e Mijallkovit ka paguar 20 mijë euro.

Ky çmim që u arrit në ankandin publik është për vetëm disa qindra euro më i lartë se ai që ishte vlerësuar fillimisht nga Byroja e Ekspertizës Ligjore. Ndryshimi i pronësisë është bërë tashmë në Kadastër.

Përndryshe në ankand publik ndalohet në mënyrë të prerë pjesëmarrja e personit të dënuar të cilit i është konfiskuar pasuria e patundshme. Tani pronar i kësaj prone u bë djali i Mijallkovit.

Pronar i “Best Way Investment” është djali i madh i Sasho Mijallkovit, Jordan Mijallkov. Kompania  është themeluar në vjeshtë të vitit 2015, në kulmin e krizës politike për shkak të publikimit të materialeve të përgjuara për të cilat akuzohej Sasho Mijallkov si ish-kryetar i DSK-së.

Atë vit ai dha dorëheqje si drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit. Si pronarë të kompanisë u deklaruan djemtë e tij, Jordan dhe Aleksandar, i cili në atë kohë ishte i mitur, kështu që përfaqësuesja e tij ishte nëna e tij, Aleksandra Mijallkova. Menjëherë pas kësaj, Aleksandri u hoq nga pronësia, kështu që kompania i mbeti Jordanit, i cili në atë kohë ishte 21 vjeç.

Nga ueb faqja e “Best Way Investment” mund të shihet se me këtë brend Jordan Mijallkov menaxhon me dy pika karburanti në Smokvicë, afër Gjevgjelisë, dhe me një tjetër në Pintija të Shkupit.

Përveç pikave të karburantit në portofolin e “Best Way Investment” thuhet edhe se ajo menaxhon edhe me dy kompani të tjera që kanë të bëjnë me tregtimin e derivateve të naftës. Njëra është përfaqësuese e brendit “Shell”, ndërsa tjetra posedon gjashtë automjete për transportin e produkteve të naftës dhe të njëjtat ua ofron tregtarëve të interesuar.

Përmes kësaj kompanie Jordan Mijallkov ka aksione edhe në hotelin luksoz “Meriot”, i cili gjendet në vetë sheshin e Shkupit.

Banesat e Mijallkovit në Vodno u shitën në këstin e dytë të shitjes së pronave të tij të konfiskuara në rastin “Perandoria”. Paraprakisht në shitje ishin edhe banesat e tij në kompleksin “Gorica” në Ohër, pronar i ri i të cilit në gusht të vitit të kaluar u bë   biznesmeni  nga Ohri, Bekim Zemoski.

Zemoski është pronar i kompanisë “De-invest” e themeluar në vitin 2007, e cila merret me konsulencë, menaxhim të projekteve dhe investime në tregun ndërkombëtar. Deri në vitin 2005 ai ka punuar si këshilltar në qeverinë e kryeministrit të atëhershëm Vllado Buçkovski.

Sipas informacioneve të siguruara nga BIRN, për banesën prej 114 metrash katrorë Zemoski ka ofruar 147 mijë euro, ndërsa për banesën e dytë prej 65 metrash katrorë 94 mijë euro.

Atëkohë si pjesë e pasurisë së konfiskuar të Mijallkovit në shitje u ofrua edhe një tokë e madhe në fshatin Moranë të Shkupit dhe një parcelë e vogël në Kozhuf. Për pronën në Moranë nuk ka pasur blerës të interesuar, ndërsa parcela prej 320 metrash katrorë në Kozhuf është shitur për 2.500 euro.

Prokuroria Publike në rastin “Perandoria” Mijallkovit i ka konfiskuar prona në vlerë prej rreth 15 milionë euro. Mijallkovi atëkohë u deklarua fajtor, ndërsa u dënua me tre vjet burg për rastin në të cilin akuzohej për pastrim parash.