Ageler: Shpenzuam 500 milionë dollarë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa ajo që shohim është një epidemi korrupsioni

Në 32 vitet e fundit, për sa kohë që kemi marrëdhënie të ndërsjella, Shtetet e Bashkuara kanë ndarë pothuajse 500 milionë dollarë për sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë në Maqedoninë e Veriut dhe shohim një epidemi korrupsioni në vend, thotë ambasadorja amerikane Angela Ageler, transmeton Portalb.mk. 

“Ka një epidemi korrupsioni në këtë vend. Është në çdo sektor, në çdo organizatë dhe vetëm duke përmendur aktorët e korruptuar mund të fillojmë ta ndihmojmë këtë vend të merret me të”, tha Ageler.

Ageler vlerëson se në 10 vitet e fundit ka një rritje të ndjeshme të korrupsionit në vend dhe thotë se “lista e zezë” e SHBA-së, në të cilën vetëm në 8 muajt e fundit janë gjetur më shumë emra të njohur politikanësh dhe biznesmenësh, është një përpjekje për të ndihmuar autoritetet maqedonase që të fillojnë të merren me problemet.

Ajo që e habit më shumë ambasadoren amerikane, siç thotë ajo, është fakti se pas çdo publikimi të emrit të ri të të ashtuquajturës “Lista e zezë”, “askush në Maqedoninë e Veriut nuk është i befasuar, as nga qytetarët dhe as nga përfaqësuesit zyrtarë”.

Madje, që nga qershori i këtij viti, kur SHBA-të e futën në listën e zezë kryetarin e komunës së Strugës Ramiz Merko, deri më tani asnjë organ apo institucion gjyqësor maqedonas nuk iu është drejtuar kolegëve të tyre në SHBA për të kërkuar ndarjen e provave, për të hapur edhe në vend procedurë për personat që janë në listë.

“Ne dimë gjithçka për Angjushevin”

Ageler e konsideron shumë pozitiv hapin e qeverisë, e cila propozoi një projektligj që automatikisht do të hapë hetim në Maqedoni për çdo person që është në listën e zezë të SHBA-së. Një rregull i tillë deri më tani është rregulluar ligjërisht vetëm për personat që janë në listat e BE-së.

Për futjen në listën e zezë të ish-zëvendëskryeministrit Koço Angjushev për shkak të korrupsionit, Ageler thotë se nuk bëhet fjalë për dyshime, por për prova të forta se Angjushev ka qenë i përfshirë në aktivitete korruptive dhe në disa raste.

“Këto nuk janë dyshime. Ne e dimë saktësisht se çfarë ka bërë Angjushev”, thotë Ageler.

Angjushev ka paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin dhe, sipas informacioneve të Ageler-it, këtë tashmë e ka bërë përmes avokatit të tij në SHBA, por kjo nuk do të ndryshojë asgjë, thotë ajo.

Më 5 dhjetor, Departamenti i Shtetit e shpalli Angjushevin të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në nivele dukshëm të larta të korrupsionit.

“Gjatë kohës që shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev keqpërdori pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.