‘ISLAMI POZITIV’

Dekadat e fundit, në veçanti në diskursin publik, por edhe në atë shkencor, është evidente një frymë e fobisë ndaj islamit, e islamofobisë, ose urrejtjes dhe sulmeve ndaj njërës prej feve më të mëdha botërore, gjegjësisht ndaj besimtarëve myslimanë, që shpërfaqen në rrugë, arsim, punësim, shërbime dhe në shumë segmente të tjera të jetës. Kjo është vërtetuar edhe nga gjetjet gazetareske deri te studimet empirike të realizuara nga institucione relevante, si në planin lokal, ashtu edhe në atë global (si ENAR, EIR, SETA, AIR), por edhe nga hulumtues individualë (Tausch, 2007; Perocco, 2018) që flasin për qëndrime anti-islame, për një patologji ose “racizëm antimysliman” të theksuar (Schiffer & Wagner, 2011), madje edhe për një industri islamofobe (Zine, 2022). Ç’është më e çuditshmja, islami është stigmatizuar edhe nga njerëz të kulturës dhe dijes (Voltaire, Fallaci, Naipaul, Fortyun, Pipes). Por, si gjatë historisë, ashtu edhe sot, ka zëra jomyslimanë racionalë, që gjërat i shohin nën llupën e objektivitetit dhe në këtë drejtim islamit i janë qasur në bazë të burimeve origjinale të tij, duke e lexuar thellësisht dhe shumëpërmasisht këtë fe komplekse (rastet Goethe, Carlyle, Nallino, Bucaille, Margoliouth, W. M. Watt, Rosenthal). Ndër ta është edhe orientalistja Laura Veccia Vaglieri (1893-1989), e cila nën udhëheqjen e C. Schiparellit dhe I. Guidit, përveç arabishtes, i mësoi edhe gjuhët e vjetra semitike, më pas u përqendrua te relacionet e shteteve myslimane me Italinë dhe vendet europiane, historinë politike moderne të Lindjes së Mesme, për të përfunduar si një autoritet i lartë në fushën e studimeve të arabologjisë dhe islamit në Itali dhe më gjerë.

Profesoresha e mirënjohur e Universitetit të Napolit “L’Orientale”, përveç veprës Apollogia dell’islamismo (1925), është autore edhe e dy vëllimeve të gramatikës arabe, Grammatica teorico-pratica della lingua araba  (Gramatikë teoriko-praktike e gjuhës arabe, 1937, 1961), Islam (1946), pastaj L’Islâm da Maometto al secolo XVI (Islami nga Muhamedi deri në shekullin XVI, në Storia Universale, 1963), Scritti Scelti di al-Ghazâli (Shkrime të zgjedhura të Gazaliut, bashkë me R. Rubinacci-n, 1970), i tridhjetë e pesë artikujve, i tridhjetë e tre recensioneve-kritikave rreth librave, si dhe i njëzet e nëntë zërave në botimin e dytë të The Encyclopaedia of Islam. (Şakiroğlu, 2012)

Vepra Apologji e islamit (Logos-A, 2023), që tani vjen edhe në gjuhën shqipe, përbën një tekst që qartë trajton tema si përhapja e shpejtë e islamit, thjeshtësia e dogmës islame, çështjen e kuptimit të riteve islame, moralit islam, rregullave dhe qytetërimit islam, misticizmit islam dhe të relacionit islam-shkencë. Hermeneutika, që Vaglieri i bën islamit, bazohet në dy burimet kryesore të kësaj feje, Kur’an dhe Sunnet, duke e trajtuar atë si një religjion me mision universal, si botëkuptim ku pasqyrohet “shpirti i thellë dhe vlerat shoqërore”, një fe që afirmon integritetin moral dhe modestinë e të jetuarit (2019: 36). Theks të veçantë Vaglieri vë mbi personalitetin e profetit Muhamed, të cilin e cilëson si një figurë fisnike, si reformator fetar dhe social, që për pak vite një popull barbar, anarkist dhe adhurues idhujsh e ktheu në një bashkësi paqësore, monoteiste dhe të brumosur me ndjenja të larta morali (2019: 39).

Sipas saj, islami është i përshtatshëm me nevojat dhe progresin e mendjes njerëzore (48), nuk është  as i ngurtë, as i palëvizshëm; fajin për statizmin e shoqërive islame, ku hakërrehet padrejtësisht kritika e jomyslimanëve, e kërkon te aksh gjendjet historike dhe te mentaliteti i mbyllur i grupeve të caktuara muslimane, gjegjësisht te ideologjia e tyre mendjengushtë, që kundërshtohet nga “islami pozitiv”, që është i përshtatshëm me nevojat e kohës moderne.

Një pikë kritike që ngërthen kjo vepër është titulli në origjinal Apologji e islamizmit, gjegjësisht pjesa e dytë e kësaj sintagme, që në fakt ka të bëjë me islamin si paketim politik (islami politik), që dallon nga islami si porosi hyjnore, si fe. Pra, Vaglieri, me gjasë, ka qenë nën ndikimin e frymës së kohës, kur vihej shenjë barazimi mes islamit dhe islamizmit, gjë që sot ka ndryshuar në kuptim të diferencimit mes tyre. Siç dihet, nga 1696 (islamismus), gjegjësisht 1712 (islamism), deri më 1938, kur u shfaq The Encyclopedia of Islam me sfond orientalist, këto dy terma kanë qenë sinonime, e prej asaj date deri më 1979  termi islamizëm s’është përdorur fare. Që nga Revolucioni Iranian dhe, në veçanti, nga 11 Shtatori, në pretekstin e islamizmit “terrorizohet” vetë islami si botëkuptim, si mënyrë jetese, si kulturë dhe si entitet planetar.

Apologji e islamit, një libër që thyen klishetë lidhur me islamin, që thekson dimensionin pacifikues dhe etik të kësaj feje, meriton të gjendet në agjendën e leximit të çdo kureshtari për kulturën shpirtërore, për civilizimet e mëdha, për religjionin më aktual dhe më të shënjestruar në botë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.