Evakuimi më i madh në historinë e Greqisë – Ishujt grekë të Rodosit, Korfuzit dhe Evias në flakë

Zjarrfikësit në Greqi po përpiqen të vendosin nën kontrollë 82 zjarre që digjen në të gjithë vendin, 64 prej të cilave filluan të dielën, ditën më të nxehtë të verës deri më tani, raporton Guardian.

Përveç zjarreve të mëdha në ishullin Rodos, ku u evakuuan 19 mijë persona, zjarret në pyje shpërthyen edhe në ishujt Evia dhe Korfuz.

Në Evia, autoritetet u thanë banorëve të katër fshatrave jugore që të evakuoheshin në qytetin Karistos, në perëndim të vendit ku po përhapej zjarri.

Zëvendësguvernatori i Greqisë Qendrore, Giorgos Kelaiditis, i cili ndodhej pranë njërit prej fshatrave, i tha agjencisë shtetërore ANA-MPA se situata ishte e vështirë.

“Zjarri mund të jetë 2 kilometra larg, por era është e fortë, tymi është i dendur dhe është e vështirë të marrësh frymë”, tha ai.

Evia veriore u shkatërrua nga zjarret pyjore në gusht 2021.

Videot në rrjetet sociale tregojnë se si flakët pushtojnë ishullin e famshëm turistik të Korfuzit – tymi dhe mjegulla portokalli tekstualisht mbulojnë qiellin. Zjarri shpërtheu në pjesën veriore të ishullit, i cili është i njohur për turistët britanikë.

Zjarret e tjera, të cilat gjithashtu kërkonin evakuim, shpërthyen në anën verilindore të ishullit të Korfuzit dhe në rajonin verior të Peloponezit, pranë qytetit të Aigio. Është ndërprerë qarkullimi në rrugën e vjetër nacionale Athinë-Patra, e cila kalon nëpër bregdet, raporton Independent.

Ministria e Ndryshimeve Klimatike dhe Mbrojtjes Civile tha se gjendja e jashtëzakonshme në ishullin Rodos kishte shkaktuar “evakuimin më të madh nga zjarri në historinë e vendit”.

Policia lokale tha se 16,000 njerëz u evakuuan nga toka dhe 3,000 nga deti nga 12 fshatra dhe disa hotele. Gjashtë persona u shtruan në spital për probleme të frymëmarrjes. Një person që ka rënë dhe ka thyer këmbën gjatë evakuimit në hotel dhe një grua shtatzënë janë shtruar në spital. Një numër i madh turistësh prisnin fluturimet nga Aeroporti Ndërkombëtar i Rodosit.