Kryetarja e Supremes Ademi: Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor nuk janë shembull i mirë, të ndërpritet me interpretime të pahijshme

Ngjarjet në Këshillin Gjyqësor nuk janë shembull i mirë, ndërkaq deklaratat për ndikime politike duhet të sqarohen në mënyrë përkatëse. Përgjigja më e mirë e përpjekjeve për ndikime politike apo çfarëdo lloj ndikimi është integriteti personal dhe respektimi konsekuent i parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Të respektohen rekomandimet e faktorit ndërkombëtar  dhe të ndërpritet me relativizmat jo shembullore, interpretime dhe kërkimin e fajtorit te të gjithë për problemet në Këshill, përveç se tek ai që i ka krijuar.

Kështu deklaron kryetarja e Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, Besa Ademi, në një intervistë për Portalb.mk, në lidhje me ndodhitë e fundit në fushën e gjyqësorit.

Intervistoi: Suad Bajrami

Si i shihni ndodhitë e fundit në Këshillin Gjyqësor në lidhje me shkarkimin e kryetares Vesna Dameva dh emërimin e kryetarit të ri, Sashko Georgiev, mes akuzash për ndikime politike dhe mosrespektim të procedurave ligjore. A është shembull i mirë se si duhet të veprojë një trup i cili zgjedh gjyqtarët?

Besa Ademi: Përshtypja e përgjithshme është se ngjarjet në Këshillin Gjyqësor nuk janë në drejtim të angazhimeve për pavarësinë dhe reputacionin e gjyqësorit, formimin e besimit të publikut dhe me rekomandimet në Raportet e Bashkimit Evropian dhe të Departamentit të Shtetit. Sipas këtyre raporteve mund të konstatohet nëse një institucion i caktuar është shembull i mirë në punën e tij. Edhe pas këtyre rekomandimeve të cilat janë të qarta, precize dhe me qëllime të mira doemos vazhdimisht të veprohet. Çdo tërheqje nga sugjerimet dhe rekomandimet në raportet ndërkombëtare relevante nuk mund të konsiderohet si shembull i mirë, sidomos nëse është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me sjelljen etike dhe standardet profesionale. Është koha që këto sugjerime të merren seriozisht dhe të ndërpritet me relativizmat jo shembullore, interpretimet e pahijshme dhe kërkimin e fajtorit te të gjithë për problemet në Këshillin, përveç se tek ai që i ka krijuar. Duhet një zgjidhje e plotë dhe afatgjatë ngase çdo improvizim do të jetë afatshkurtër. Një nga zgjidhjet është miratimi urgjent i ndryshimeve themelore ligjore, ku do të përfshihen të gjitha aspektet: legjislative, profesionale, funksionale dhe etike.

Duke u nisur nga fakti se ngjarjet në Këshillin gjyqësor kanë kontekst më të gjerë, përkatësisht edhe forma debati të dukshme edhe më parë të sjelljes dhe vendimmarrjes në këtë organ, Gjykata Supreme periudhën e kaluar në Grupin e punës për Strategjinë e reformave të sektorit të gjyqësorit dorëzoi disa propozime për përmirësimin e situatës, për të mbrojtur gjyqësorin. Me ndryshimet reformuese të propozuara duhet të kapërcehen të gjitha dobësitë në funksionimin e Këshillit gjyqësor. Gjykata Supreme, gjithashtu miratoi Qëndrim parimor për zbatimin e drejtpërdrejtë të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, që ka të bëjë me dispozitat e Ligjit për Këshillin gjyqësor dhe parashtroi një Iniciativë në Ministrinë e Drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese.

Sa i përket pyetjes suaj, mbi pretendime për ndikime në Këshillin gjyqësor, ato ishin deklarata publike të anëtarëve të Këshillit, por këto deklarata duhet të sqarohen në mënyrë përkatëse. T’ju kujtoj se sipas Ligjit është i ndaluar organizimi dhe veprimi politik në Këshillin Gjyqësor, sidomos që Këshilli me punën e tij duhet të parandalojë ndikim politik në gjyqësor.

Akuzat për ndikime politike në gjyqësor, vazhdojnë të jenë pjesë e vokabularit të ekspertëve, por edhe pjesëtarëve të gjyqësorit të cilët flasin haptas se politika përzihet në fushën e gjyqësorit. Ju si kryetare e Gjykatës Supreme, a përjetoni ndikime politike dhe si i menaxhoni ato?

Besa Ademi: Përgjigja më e mirë e përpjekjeve për ndikime politike apo çfarëdo lloj ndikimi është integriteti personal dhe respektimi konsekuent i parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve. Dhe kjo nuk guxon të jetë një zhgënjim apo thjesht një parim i shprehur vetëm në mënyrë deklarative. Nuk ka mënyrë tjetër për të rikthyer reputacionin e gjyqësorit përveçse të tregohet se gjyqësori është rezistent ndaj ndikimeve. Çdo kalkulim politik në kurriz të marrjes së vendimeve ligjore duhet të sjellë përgjegjësi. Jemi në një periudhë të rëndësishme për shtetin dhe çdo gjyqtar me qëndrim të fortë të krijuar për sundimin e të drejtës duhet të tregojë autoritet dhe dinjitet. Por, ai duhet të tregojë edhe përgjegjësi për të drejtat dhe interesat e qytetarëve dhe për të ardhmen e vendit.

Këtu flitet edhe për të ardhmen e gjyqësorit që është shtylla e shtetit. Prandaj tentimet për ndikime mund të parandalohen vetëm kur gjyqtari është i vendosur dhe i pavarur dhe kur me veprimin dhe sjelljen e tij, ai dërgon një porosi në qendra të ndryshme të pushtetit që do të tentojnë të vënë dorë mbi gjyqësorin. Në punën time si gjyqtare dhe si kryetare e Gjykatës Supreme, gjithmonë jam menaxhuar dhe menaxhohem nga kjo maksimë dhe pikërisht për ato arsye nuk ka pasur tentime për ndikime apo e kam dekurajuar që të ndodh një gjë e tillë.

Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme. Foto: Gjykata Supreme
Besa Ademi, kryetare e Gjykatës Supreme. Foto: Gjykata Supreme

Çka duhet bërë për t’u kthyer besueshmëria në gjyqësor, duke e pasur parasysh se në disa gjykata të vendit vazhdon praktika e mungesës së transparencës dhe llogaridhënies për gjyqtarët?

Besa Ademi: Reformat të cilat kërkohen janë reforma të vetes sonë. Është prioritet të punohet sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian dhe Departamentit të Shtetit. Dokument i rëndësishëm në të cilin besoj se do të jep kontribut të madh për besueshmërinë e gjyqësorit është Strategjia e re e reformave të sektorit gjyqësor, ku janë paraparë ndryshime të disa ligjeve që nënkuptojnë përmirësimin e cilësisë së drejtësisë dhe funksionimin e institucioneve. Më jep shpresë entuziazmi i Grupit të punës për përgatitjen e Strategjisë në të cilën gjenden të gjitha dobësitë në gjyqësor.

Kritikat me qëllim të mirë duhet të pranohen, por gjithashtu është e rëndësishme të theksohet se disa kritika ndaj gjyqësorit vlejnë edhe për autoritetet tjera. Kur thuhet se pushteti gjyqësor duhet të jetë i pavarur, parandalohet edhe ndërhyrja e autoriteteve tjera në punën e gjyqësorit. Prandaj me rëndësi është që të ketë një vullnet të fortë dhe qëllime të sinqerta nga të gjithë faktorët për t’i përfunduar sa më shpejtë këto ndryshime nga aspekti legjislativ, funksional dhe etik.

Sa i përket transparencës, mjafton vetëm të respektohen parimet për gjyqësor të hapur dhe konkluzionet e Këshillit për Gjyqësor të Hapur, puna e të cilit është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Bashkimit Evropian. Në bazë të parimeve të Këshillit për Gjyqësor të Hapur dhe komunikim intensiv dhe bashkëpunim me Këshillin gjyqësor për media, Gjykata Supreme miratoi edhe Qëndrim parimor për publikimin e vendimeve që nuk janë të plotfuqishme. Qëndrimi parimor u vlerësua në Raportin e Departamentit të Shtetit që ishte mjaft inkurajues. Gjykata Supreme me këto aktivitete do të vazhdojë me ritëm të përforcuar edhe në periudhën e ardhshme.

Pas gjithë ndodhive në fushën e gjyqësorit gjatë periudhës së kaluar, çështja e vetingut në gjyqësor sërish është riaktualizuar si nevojë për “pastrimin e gjyqësorit”. A vlerësoni se është koha që RMV ta trajtojë këtë çështje më me seriozitet dhe jo vetëm deklarativisht sikur deri më tani?

Besa Ademi: Në këtë periudhë është thelbësore që të përfundojë procesi me përgatitjen e Strategjisë për reformat në sektorin e gjyqësorit. Siç përmenda, ky është një proces mjaft serioz dhe tërë fokusi dhe energjia duhet të drejtohen në krijimin e zgjidhjeve më cilësore që do të sigurojnë funksionimin, efikasitetin dhe transparencën e të gjitha institucioneve gjyqësore.

Siç kam theksuar edhe më parë për vetingun, duhet theksuar se si proces nuk fokusohet vetëm te realizuesit e funksioneve publike të pushtetit gjyqësor, por tek bartësit e funksioneve publike nga pushteti ekzekutiv dhe legjislativ. Vetingu është një proces që kërkon një qasje jashtëzakonisht serioze dhe të plotë. Të mësuar nga përvojat rajonale dhe duke marrë parasysh edhe udhëzimet e mëparshme të Bashkimit Evropian që të mos kryhet vetingu në Republikën e Maqedonisë së Veriut, konsideroj se gjyqësori ka forca dhe mekanizma të mjaftueshëm në kuadër të institucioneve kompetente ekzistuese, për të kryer veprimet e nevojshme të kontrollit të gjyqtarëve.

Si e vlerësoni rrjedhën e reformave në gjyqësor, a është “hallka” më e dobët në rrugën evropiane për të cilën nuk kemi punuar mjaftueshëm?

Besa Ademi: Si do të jetë qasja për zbatimin e Strategjisë për reformat në sektorin e gjyqësorit, të tilla do të jenë edhe reformat. Nga ajo që mund të vlerësoj tani dhe duke u nisur nga fakti se një pjesë bukur e madhe e propozimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë pranuar dhe është premtuese dinamika dhe përmbajtja e procesit aktual. Shpresa dhe angazhimi im i sinqertë është që t’i qasemi me ndërgjegje dhe me profesionalizëm, më së shumti për shkak të rrugës sonë evropiane. Sa i përket punës së Gjykatës Supreme, mund të theksoj se Gjykata edhe krahas numrit të zvogëluar të gjyqtarëve, më së shumti për shkak të mos zgjidhjes së gjyqtarëve nga Këshilli gjyqësor, do të vazhdojë me përkushtim të funksionojë. Qëllimi kryesor është përparimi i efikasitetit, pavarësisë, transparencës dhe luftës kundër korrupsionit.