Maqedonia e Veriut me rënie të ndjeshme në raportin e Freedom House: Vendi i është dorëzuar korrupsionit të lartë

Maqedonia e Veriut mbetet një regjim hibrid në raportin e fundit të Freedom House “Kombet në tranzit”. Freedom House në atë kategori vendos 11 vende, të cilat kanë karakteristika të autokracisë dhe demokracisë. Për shkak se ato nuk i përkasin plotësisht asnjërit bllok, institucionet e tyre janë të cenueshme, gjë që në vitin 2023 ka çuar në më shumë regres sesa avancim, thuhet në raport, transmeton Portalb.mk.

Në Ballkanin Perëndimor, kjo u theksua veçanërisht. Ka pasur një “kthim historik” në Serbi, thotë raporti, kryesisht për shkak të përpjekjeve të presidentit Aleksandar Vuçiç për të konsoliduar pushtetin në vitin 2023. Por Maqedonia e Veriut është menjëherë pas Serbisë, i tha Zërit të Amerikës, Alexandra Karpi, një nga dy autorët e raportit.

“Maqedonia e Veriut ka rënien më të madhe në rajon pas Serbisë. Viti u shënua nga polarizimi bashkëpolitik dhe lufta ndërpartiake në koalicionin qeverisës si dhe me opozitën. Partia kryesore opozitare vazhdoi të luante një rol të theksuar pengues”, thotë Karpi.

Maqedonia e Veriut ka pësuar pengesa në zbatimin e sundimit të ligjit dhe i është dorëzuar korrupsionit të vazhdueshëm të nivelit të lartë, ndërsa partitë politike janë përplasur rreth amendamenteve kushtetuese të mandatuara nga vetoja e Bullgarisë që pengojnë përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian.

Duke iu kthyer Maqedonisë së Veriut më konkretisht, raporti thotë se vendi është një “hibrid ciklik”, i cili karakterizohet nga ndryshime të rregullta në elitën qeverisëse që nuk lejojnë ndryshime thelbësore strukturore të ndodhin me kalimin e kohës. Gjegjësisht, është një “kombinim i pluralizmit real politik dhe ndryshimeve sipërfaqësore institucionale”, shpjegon Freedom House, duke e ilustruar këtë në rastin e Maqedonisë së Veriut me shembullin e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, i cili është në azil që nga viti 2017.

“As ai dhe as bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk janë vënë para drejtësisë për shpërdorim detyre. Më keq, ndryshimet e diskutueshme në Kodin Penal në vitin 2023 reduktuan dënimet për abuzime të tilla, me rastet e mëdha që u vjetërsuan ndërsa publiku nuk ishte rikuperuar ende nga skandalet fatale të korrupsionit në sektorin e shëndetësisë”, thotë ai.

Karpi thotë se kjo tregon vetëm një gjë:

“Kjo tregon se sa i politizuar është sistemi gjyqësor. Këtë vit pati një sërë skandalesh në sistemin gjyqësor, si me Këshillin Gjyqësor dhe më pas me kreun e tij. E gjithë kjo reflekton dështimin e organeve të drejtësisë dhe antikorrupsionit që duhet t’i shërbejnë qytetarëve. Mendoj se për momentin në Maqedoninë e Veriut mbizotëron ndjenja tek qytetarët se këto institucione nuk punojnë për t’i shërbyer popullit, por individëve të caktuar”.

Në Maqedoninë e Veriut, shpresat që u rritën në vitin 2017 pas rrëzimit të kryeministrit antidemokratik Nikola Gruevski ende nuk janë realizuar, thuhet në raport.

“Ndryshe nga Ukraina apo Moldavia, Maqedonia e Veriut nuk ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të eliminuar rrjetet e korruptuara dhe pushteti ka vazhduar të luhatet midis koalicioneve të disa partive të njëjta, siç ka bërë për dekada. Partia nacionaliste e Gruevskit pengoi punën e parlamentit ndërsa ishte në opozitë dhe tani është favorit për të fituar zgjedhjet në vitin 2024”, thuhet në raportin vjetor të Freedom House.

Ndërkohë, rezultatet për Hungarinë, Gjeorgjinë dhe Kosovën mbetën të pandryshuara, pavarësisht një viti të turbullt për shoqërinë civile.

Polonia u veçua në raportin e Freedom House si një vend ku ndodhi një “përparim i vërtetë demokratik”, kur një numër i madh qytetarësh “dolën për të ushtruar të drejtën e tyre më themelore politike për të përcaktuar kursin e ardhshëm të vendit të tyre”.

“Qeveria e re ka qasje në një bollëk shembujsh nga fqinjësia e saj, ku disa shtete tashmë janë përpjekur – me sukses të ndryshëm – të kapërcejnë dëmin e shkaktuar institucioneve nga liderët joliberalë. Përvojat e Sllovenisë, Republikës Çeke dhe Sllovakisë tregojnë vështirësitë, grackat dhe kompromiset me të cilat do të përballet Polonia, por ato gjithashtu sjellin mësime të rëndësishme se si të rimëkëmbet nga vitet e keqqeverisjes populiste”, thuhet në raport.

Freedom House vë në dukje se qeverisja e përgjithshme demokratike ra për të 20-tin vit radhazi në vitin 2023 dhe se një riorganizim gjeopolitik është duke u zhvilluar në rajonin që shtrihet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbeti “vend pjesërisht i lirë”, në raportin paraprak të Freedom House për lirinë e botës, i cili përfshinte 210 vende, sipas dy segmenteve – të drejtat politike dhe liritë civile. Sipas raportit, RMV-ja ka rënë për një vend në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte shënuar me 68 pikë.