Mund të nevojiten 14 vjet për ta pastruar Gazën nga rrënojat, tha një zyrtar i OKB-së

Mund të nevojiten rreth 14 vjet për ta pastruar Rripin e Gazës nga rrënojat, përfshirë mjetet e pashpërthyera, që janë lënë nga lufta shkatërruese e Izraelit, tha të premten një zyrtar i Kombeve të Bashkuara, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit, e ka rrënuar shumicën e territorit të vogël bregdetar me 2.3 milionë banorë, duke i lënë shumicën e civilëve të pastrehë, të uritur dhe të rrezikuar nga sëmundjet.

Pehr Lodhammar, zyrtar i lartë i OKB-së për veprim kundër minave (UNMAS), tha të premten në Gjenevë se lufta e ka mbushur me 37 miliardë tonë mbeturina territorin e mbipopulluar palestinez.

Ai tha se, edhe pse nuk është e mundur të dihet numri i saktë i mjeteve të pashpërthyera në Gazë, është parashikuar se mund të nevojiten 14 vjet sipas kushteve të caktuara për t’i hequr mbeturinat, përfshirë dhe gërmadhat e ndërtesave të rrënuara.