Ironi tragjike

Ironia definohet si gjendje tërësisht e kundërt me pritshmëritë e njeriut që si e tillë mund të ngjajë si situatë komike. Por ironia nuk është gjithmonë komike dhe ka shumë të ngjarë që të paraqitet edhe si tragjike. Si në rastin e drejtësisë këtu tek ne.

Me 15 shtator të vitit 2015 u formua institucioni që në popull njihej me emrin Prokuroria Speciale Publike apo PSP. Kjo prokurori u formua me të vetmin qëllim: që të vërtetojë se kush, në çfarë mënyre dhe pse përgjoi në mënyrë të kundërligjshme mbi 20.000 qytetarë të këtij vendi. Lënda kryesore dhe më e rëndësishme e kësaj prokurorie ishte lënda “Target” e cila më vonë u bashkua me lëndën “Fortesa”. Si i akuzuar kryesor i këtij procesi u identifikua ish-drejtori i Drejtorisë për siguri dhe kundërzbulim, Sasho Mijalkov i cili u pa si fytyra kryesore që qëndronte pas skandalit të përgjimit, ku të rikujtojmë, mbi 20.000 qytetarë ishin përgjuar pa të drejtë dhe në mënyrë të kundërligjshme me vite të tëra, me qëllimin e vetëm të ruajtjes së pushtetit dhe të presionit politik. Tani, plot 8 vjet pas themelimit të PSP, që duhej t’ia kthejë popullit besimin tek drejtësia dhe të vendosë përgjegjësi penale për aktet e kundërligjshme, vepra penale themelore e kësaj prokurorie për të akzuarin Sasho Mijalkov u parashkrua në mënyrë absolute, ashtu siç konstatoi njëra ndër ikonat e kësaj prokurorie, Lençe Ristoska. Lëre se “u vjetërua” Prokuroria Speciale dhe sot nuk ekziston më, por u vjetëruan edhe lëndët kryesore që ajo i ndiqte. Ky parashkrim erdhi si pasojë direkte e ndryshimeve të fundit të Kodit Penal që u realzuan përmes procedurës së shpejtuar në Kuvend dhe nën flamurin Evropian.

Sasho Mijalkov nuk do të bartë përgjegjësi për procesin e përgjimit të paligjshëm. Qytetarët do t’i mbulojnë shpenzimet e tij sepse gjyqësia jonë, duke përfshirë këtu edhe PSP-në (kreu i së cilës përfundoi në burg bashkë me të akuzuarit e saj), edhe Prokurorinë e rregullt, edhe Gjykatat, nuk u tregua efektive që në kohë ta mbarojë rastin më eklatant të keqpërdorimit të detyrës zyrtare në këtë shtet. Për më tepër, Qeveria propozoi ndryshimet e Kodit Penal, Kuvendi i aprovoi, dhe Presidenti e nënshkroi dekretin e publikimit të tyre në Gazetën Zyrtare të RMV. Nga Ambasada e SHBA thanë se ekipi i tyre do ti shqyrtojë ndryshimet ligjore, ndërsa nga Delegacioni i UE shprehën shqetësim për këto ndryshime të bëra nën flamurin Evropian. Por sheqtësimi kryesor bie mbi qytetarët që nga xhepi i vet duhet t’i paguajnë harxhimet e procesit gjyqësor për atë që i përgjoi me vite. Qytetarët në këtë mes janë humbësit kryesor. Ata e paguajnë llogarinë në fund. Ata paguajnë edhe për harxhimet e Mijalkovit, edhe për paaftësinë e insitutcioneve, edhe për sakrifikimin e drejtësisë në altarin e politikës. Ata paguajnë për gjithçka. Në fund të ditës, qytetarët janë edhe të vjedhur, edhe të dëmtuar, edhe të përgjuar, edhe të detyruar që të paguajnë për gjithçka. Kjo vërtet është ironike, por nuk është aspak qesharake dhe është tërësisht tragjike.

Dikush mund të thotë pse nuk revoltohen dhe nuk reagojnë qytetarët. Qytetarët u revoltuan dhe bënë revolucion të tërë në vitin 2016. Ata ndryshuan pushtetin me të vetmen kërkesë që të vendoset drejtësia dhe përgjegjësia penale. U bashkuan nën një moto të vetme: “Pa drejtësi nuk ka qetësi”. Dhe bënë ndryshime të mëdha, si pasojë e të cilave sot jemi në NATO dhe jemi rrugës për t’u integruar në UE. Por në këtë proces u bënë shumë sakrifica dhe ajo që më së shumti u sakrifikua ishte pikërisht drejtësia.

Drejtësia gjithmonë është e para që sakrifikohet për qëllime politike. Por kjo në afat të gjatë sjell rezultat shumë të keq. Sepse krimet e padënuara përsëriten. Padënueshmëria krijon ambient për t’u përsëritur kriminaliteti. Mbi të gjitha, sakrifikimi i përhershëm i drejtësisë krijon ambient apatie, ku qytetarët nuk besojnë më në asnjë institucion dhe askush nuk mund t’i bindë që drejtësia funksionon dhe zbatohet. Ata e dinë mirë që kjo nuk është e vërtetë, sepse në fund të ditës çmimin e paguajnë vet.

Kur padrejtësia tolerohet dhe me të koketohet për arsye politike, rezultati është gjithnjë në dëm të qytetarëve. Në vendet evropiane kjo do të thotë krijimi i hegjemonive të reja të cilat funksionojnë pa problem edhe brenda vetë Unionit Evropian, si rasti i Hungarisë nën sundimin e Orbanit. Në vendet më të pafatshme, si rasti i Palestinës, kjo do të thotë përballje e përditshme me shkelje të rënda të të drejtës humanitare dhe terror. Edhe atje, sërish llogarinë në fund e paguajnë qytetarët që digjen brenda spitalit ose shkollës ndërsa askush nuk mban asnjë lloj të përgjegjësisë, edhe përskaj eksistencës së normave komplekse ndërkombëtare që ndalojnë shprehimisht dhunën ndaj civilëve.

Në aspekt afatgjatë, mohimi i drejtësisë sjell rezultate të tmerrshme për të gjithë. E ata që e paguajnë çmimin më të lartë, janë gjithmonë qytetarët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.