Ndihma humanitare në Gaza do të hyjë përmes Egjiptit, Izraeli nuk i ndal sulmet

Pas vizitës së djeshme të presidentit amerikan Joe Biden në Izrael, Egjipti pranoi të hapë pikën kufitare Rafah për hyrjen e ndihmave humanitare për banorët e Rripit të Gazës, raporton BBC. Në bisedë me presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, Biden aranzhoi që deri në 20 kamionë me ndihma humanitare të hyjnë në Gaza dhe kjo dërgesë mund do të dërgohej deri të premten, transmeton Portalb.mk.

Presidenti amerikan shtoi se kjo është dërgesa e parë e ndihmave humanitare për banorët e Gazës, nga gjithsej pak më shumë se 150 kamionë që janë planifikuar të dorëzohen. Megjithatë, Biden tha se dhënia e ndihmës së përgjithshme do të varet nga zhvillimi i situatës në terren.

Izraeli nuk i ndal sulmet e tij në Rripin e Gazës. Kreu i krahut ushtarak të Komitetit të Rezistencës Popullore, Rafat Abu Hilal, u vra në sulmet e fundit. Komiteti i Rezistencës Popullore është fraksioni i tretë më i madh i armatosur në Rripin e Gazës pas Hamasit dhe Xhihadit Islamik.

Në ndryshim nga Izraeli, agjencia palestineze e lajmeve WAFA raportoi se forcat izraelite vranë shtatë banorë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke përfshirë katër adoleshentë. Me këtë, numri i palestinezëve të vrarë në Bregun Perëndimor që nga 7 tetori është rritur në 69 persona. Bregu Perëndimor është selia e Autoritetit Palestinez, i cili dominohet nga rivali i Hamasit, Fatah, i udhëhequr nga presidenti palestinez Mahmud Abbas.

Ndërkohë, autoritetet palestineze në Gaza pranë Hamasit bënë të ditur se numri i përgjithshëm i të vrarëve nga sulmi me raketa në spitalin Al-Ahli është 471 persona. Autori i këtij krimi mbetet i panjohur, pasi ushtria izraelite dhe Autoriteti Palestinez i Hamasit fajësojnë njëri-tjetrin se kush qëlloi me raketë në spital.

Kryeministri britanik Rishi Sunak po viziton sot Izraelin, një ditë pasi presidenti amerikan Joe Biden vizitoi këtë vend. Sunak tha se çdo vdekje e çdo civili është një tragjedi, duke shtuar se shumë jetë janë humbur që nga akti i tmerrshëm i terrorit nga Hamasi.

“Sulmi në spitalin Al Ahli duhet të jetë një moment vendimtar për liderët në rajon dhe në mbarë botën që të bashkohen për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm të rrezikshëm të konfliktit. Unë do të siguroj që Mbretëria e Bashkuar të jetë në ballë të kësaj përpjekjeje”, tha kryeministri britanik Sunak.