Inspektim i jashtëzakonshëm për lehonën që humbi foshnjën, Kleokovski: U kontrollua spitali i Strugës, Ohrit dhe Gjinekologjia e Shkupit
Ka përfunduar Inspektimi i jashtëzakonshëm i Inspektoratit Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor për rastin e pacientes LJ.Sh. nga Ohri, e cila humbi fetusin para përfundimit të shtatzënisë, përcjell TV21. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, deklaroi se raporti përfshin spitalet e përgjithshme në Ohër dhe Strugë dhe Klinikën për Gjinekologji dhe Obstetrikë -Shkup për periudhën nga maji deri në shtator.
Ai tha se ka kërkuar që të kontrollohet edhe puna e gjinekologut amë dhe trajtimi në një institucion privat shëndetësor, ku ka qenë për kontroll pacientja. Përndryshe lidhur me rastin e pacientes S.M., ministri tregoi se mbikëqyrja profesionale është përfunduar dhe rezultatet do të prezantohen nesër në një konferencë për shtyp me mjekët nga mbikëqyrja profesionale. Pacientja S.M. nga Strumica mbeti e palëvizshme pasi lindi me prerje cezariane në spitalin e Shtipit.
“Inspektimi është kryer dhe kam kërkuar që të verifikohet puna e gjinekologut amë para se pacientja të shkonte në spitalin në Ohër. Ekziston një deklaratë se gjatë kësaj periudhe ajo ka qenë edhe në një institucion privat shëndetësor dhe kam kërkuar që të bëhet një shqyrtim i asaj që është kryer në atë institucion, në mënyrë që të kemi informacion të plotë”, tha Klekovski.
Ndryshe, pacientja nga Ohri, LJ.Sh., u ankua për trajtimin që kishte marrë gjatë shtatzënisë, pasi humbi fetusin para përfundimit të shtatzënisë. Ajo kishte kërkuar ndihmë mjekësore në disa institucione shëndetësore, ndërsa rasti nxiti reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe urdhrin për inspektim të jashtëzakonshëm në spitalet në Ohër e Strugë dhe në Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup. Ministri Klekovski tani ka kërkuar që të shqyrtohet edhe puna e gjinekologut amë dhe trajtimi që pacientja kishte marrë në një institucion privat.