Nuk ka raste të reja me ethe të Nilit Perëndimor në RMV, në Klinikën Infektive po trajtohen 12 pacientë
Që nga 19 shtatori nuk ka raste të reja të hospitalizimit në Klinikën për Sëmundje Infektive. Pra, për të katërtën ditë nuk ka raste të reja. Aktualisht në Klinikë janë të hospitalizuar 12 pacientë. Tre prej tyre janë në kujdes intensiv dhe marrin mbështetje me oksigjen, mes tyre edhe pacienti i cili prej kohësh është i hospitalizuar dhe gjendja shëndetësore e të cilit është e pasigurt, deklaroi sot ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, transmeton Portalb.mk.
Ai theksoi se, pavarësisht nëse ka apo jo epidemi, po ndërmerren të njëjtat masa dhe aktivitete, të cilat vazhdojnë edhe më tej. Po ashtu, po kryhet dezinsektimi në vendbanimet e pacientëve tek të cilët virusi është konfirmuar gjatë javës së kaluar.
Ndërkohë, siç sqaroi ai, ka përfunduar spërkatja e fundit në Shkup dhe, me gjasë, pasi të përmbledhin rezultatet, ato do t’i prezantojnë para opinionit publik, pasi Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (ISHSSH) ka kryer edhe një kontroll të jashtëzakonshëm në territorin e gjithë Maqedonisë lidhur me spërkatjen.
“Do t’i përmbledhim këto rezultate. Është shumë e vështirë të parashikohet, pasi periudha e inkubacionit është nga dy deri në 14 ditë. Kemi komuna ku nuk është bërë fare spërkatje dhe nuk ka asnjë rast. Komunat që ndodhen në rajonin e Povardarisë duhet të jenë më të kujdesshme. Ka komuna që janë ndër tri komunat ku është bërë më shumë spërkatje dhe megjithatë ka raste me ethe të Nilit Perëndimor.
Ndoshta duhet t’i krahasojmë përvojat tona me ato të Greqisë dhe të shohim se çfarë bëjnë ata më mirë. Në një periudhë të arsyeshme prej tre deri në pesë vjet duhet ta braktisim spërkatjen ajrore dhe të kalojmë plotësisht në spërkatjen nga toka. Kjo periudhë është e domosdoshme, sepse duhet të përgatitet mekanizimi për këtë lloj pune.
Ka edhe disa përvoja të tjera nga Greqia që do të ishte mirë të zbatohen. Po punojmë për to me Qendrën për Shëndet Publik dhe Institutin për Shëndet Publik”, tha Klekovski.
Ai theksoi se duhet të forcohen edhe masa të caktuara ndëshkuese për komunat që nuk veprojnë sipas urdhrave të miratuara nga qendrat e shëndetit publik, edhe pse kjo nuk vlen për rajonin e Shkupit. Sipas tij, me këto masa duhet të sigurohet që të mos ketë raste as në Bogdanci, as në Vallandovë, e as në zona të tjera.
Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital.
Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat.
Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.