Incidenti me Vjosa Osmanin në Shkup, largim nga puna dhe padi ndaj punonjësve të policisë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka ngritur kallëzim penal ndaj tre punonjësve të policisë në lidhje me incidentin që ka ndodhur me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, transmeton Portalb.mk.

“Kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të “rrezikimit të sigurisë” nga neni 144 i Kodit Penal dhe veprës penale “pengim të zyrtarit në kryerjen e detyrave zyrtare” sipas nenit 382 të Kodit Penal”, njoftoi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Ai dyshohet se ka kërcënuar me armë punonjës të sigurimit në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit. Deri në zbardhjen e rastit, ai do të largohet nga vendi i punës.

“Ndaj nëpunësve policorë S.R. dhe N.B. do të parashtrojë Propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhrit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhrit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimin e reputacionit të policisë”, sqaroi Policia.

Incidenti që ndodhi më 1 gusht në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku ishte e përfshirë edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte temë edhe e takimit që ndodhi sot (5 gusht) në Shkup ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurtit dhe Hristijan Mickoskit.

Në mungesë të pamjeve, raportohet që presidentja Osmani është sulmuar edhe fizikisht nga Policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se ajo ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.