Kosova me notë proteste ndaj RMV-së për shkak të incidentit në Aeroportin e Shkupit me presidenten Vjosa Osmani
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Republikën e Kosovës ka reaguar ndaj problemit që ka ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ndërsa Ambasada e Kosovës në Shkup ka sqaruar që kjo nuk është nota e parë, siç ishte pretenduar në media, transmeton Portalb.mk.
“Ministrja Gërvalla ka paraqitur një notë proteste pranë autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, duke kërkuar sqarim të menjëhershëm dhe të plotë për këtë incident. Njëkohësisht, është kërkuar që autoritetet maqedonase të ndërmarrin masa të menjëhershme për të hetuar këtë rast dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, njoftoi MPJS, duke kërkuar edhe detaje rreth incidentit.
Në reagimin zyrtar vlerësohet që Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është përballur me një trajtim të papërshtatshëm dhe kundërligjorë nga sigurimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.
Ministrja Donika Gërvalla në lidhje me incidentin, ka takuar zv.kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Arben Fetain, dhe Ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Kosovë, Shpresa Jusufin, ndërsa ka zhvilluar bisedë telefonike edhe me homologun nga Maqedonia e Veriut, Timço Mucunskin.
“Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup përgenjështron në termat më të fuqishëm lajmin në disa portale të RMV se është prononcuar lidhur me incidentin në Aeroportin e Shkupit dhe se kinse ka konfirmuar se kjo është nota e parë dërguar autoriteteve. Informacioni i plasuar është i pasaktë edhe substancialisht”, deklaruan nga Ambasada.
Ata përmes një reagimi kanë kërkuar që emri i Ambasadës të mos përdoret për politikë të brendshme në Maqedoninë e Veriut, duke e publikuar edhe lajmin e rrejshëm me titull: “Edhe Ambasada e Kosovës për Klan M konfirmon se është hera e parë që Kosova dërgon notë proteste ndaj RMV-së”.
Ndryshe, më 1 gusht, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit ka ndodhur një incident ndërmjet sigurimit të aeroportit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Në mungesë të pamjeve, raportohet që presidentja Osmani është sulmuar edhe fizikisht nga policia e Maqedonisë së Veriut, për shkak se Osmani ka refuzuar që telefoni i saj zyrtar të futet në skaner për kontroll, duke u thirrur në protokollet e përcaktuara në Konventën e Vjenës.