Ndarje e padrejtë e bursave, avokati i studentëve të UKM-së kërkon mundësi shtesë për studentët e shkencave sociale
Avokatja e studentëve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) dhe kryetari i Trupit Kombëtar Studentor (TKS) reaguan për uljen e numrit të bursave për studentët e shkencave sociale në Konkursin e Bursave të Ciklit të Dytë. Në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), përfaqësuesit e studentëve kërkojnë që institucioni të rishqyrtojë dhënien e bursave për studimet master, transmeton Portalb.mk.
Krahasuar me vitin e kaluar, kur u ndanë 10 bursa për shkencat sociale, këtë vit janë planifikuar vetëm katër. Nga ana tjetër, numri i bursave për shkencat tekniko-teknologjike dhe natyrore-matematikore mbetet në nivel të lartë – 40, ndonëse vetëm 24 prej tyre janë ndarë vitin e kaluar.
Kërkesa drejtuar Ministrisë së Arsimit, thotë avokatja e studentëve të UKM-së Savçe Gjosheva dhe kryetari i TKS-së, Aleksandar Nikolovski, pason komunikimin me studentët të cilët theksuan uljen e numrit të bursave për ata nga shkencat shoqërore, gjë që i kufizon ndjeshëm mundësinë për mbështetje financiare.
“Përveç kësaj, këtë vit në konkurs i janë bashkangjitur studentët e studimeve të integruara (3+2 vjet), i cili vetëm sa shton numrin e kandidatëve potencial nga shkencat sociale, gjë që ul shanset për dhënien e bursave”, thuhet në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit.
Avokatja e Studentëve të UKM dhe Trupi Kombëtar Studentor propozojnë një zgjidhje që përfshin një mundësi shtesë për rishikimin e dhënies së bursave, në mënyrë që nëse nuk plotësohet numri i parashikuar i bursave në fushat shkencore natyrore-matematikore dhe tekniko-teknologjike, aplikantët nga shkencat sociale kanë mundësi për shqyrtim të mëtejshëm të aplikimeve të tyre.
“Kjo do të mundësojë një shpërndarje të drejtë dhe shanse më të mëdha për të mbështetur studentët që studiojnë në shkencat sociale”, thuhet në kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.
Kujtojmë se ministrja për arsim dhe shkencë, Vesna Janevska paralajmëroi se bursat e studentëve duhet të motivojnë regjistrimet në profesionet deficitare, për çka edhe bursat e MASH-it me siguri do t’i nënshtrohen revizionit. Në Ministri po bëhet analiza se cilat profesione janë deficitare dhe në ato profesione do të jepen bursa, tha ajo.