Të hënën në Shkup do të mbahet panairi tradicional i studimeve në Francë

Të hënën, më 28 tetor, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, do të mbahet Panairi tradicional për studime në Francë, njoftuan nga Instituti Francez në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Eventi do të jetë i hapur për vizitorët nga ora 11:00, ndërsa hapja zyrtare është planifikuar për në orën 12:00.

Panairi është një ngjarje për takimin e nxënësve të shkollave të mesme, studentëve dhe profesorëve universitarë që dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e lartë në Francë ose të arrijnë bashkëpunim universitar.

“Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të marrë të gjithë informacionin e nevojshëm për ofertën e programeve të studimit direkt nga përfaqësuesit e universiteteve franceze të pranishëm në panair, si dhe informacione për bursat, programet e studimit në anglisht dhe të gjitha aspektet e jetës studentore në Francë”, thonë nga instituti francez në Shkup, të cilët janë organizatorë të panairit së bashku me Agjencinë Franceze të Arsimit të Lartë Campus France.