Kuajt në Kopshtin Zoologjik të Shkupit janë helmuar

Rezultatet zyrtare të gjetjeve të autopsisë tregojnë se kuajt në Kopshtin Zoologjik të Shkupit janë helmuar, kështu bëri të ditur Kopshti Zoologjik, transmeton Portalb.mk.

Nga atje bëjnë të ditur se rezultatet e autopsisë i janë dorëzuar Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë për veprime të mëtejshme.

“Kopshti Zoologjik i Shkupit ka bërë kallëzim penal, ndërsa autori është në kërkim aktiv dhe po kontrollohen të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë”, thanë nga Kopshti Zoologjik.

Nga atje theksuan se dënojnë këtë veprim ku i bëjnë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë që të veprojnë sa më shpejt për të sanksionuar autorin.

Përndryshe, para dhjetë ditësh, në më pak se 24 orë ngordhën tre kuaj në Kopshtin Zoologjik të Shkupit. Për këtë reagoi edhe shoqata për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”, të cilët thanë se kuajt ka mundësi të jenë helmuar nga të punësuarit.