“Anima Mundi” dyshon se kuajt në Kopshtin Zoologjik të Shkupit janë helmuar nga punonjësit

Të tmerruar por jo të befasuar nga ngordhja tragjike e 3 thundrakëve në Kopshtin Zoologjik të Shkupit edhe kësaj here nuk u lëshuan gjykimet mbi këtë institucion, i cili ndër vite vetëm e ka dëshmuar paaftësinë e tij në mbajtjen e gjallë të kafshëve, vendi i të cilëve nuk është prapa hekurave, reagojnë  nga Shoqata “Anima Mundi” pas ngordhjes së tre kuajve për vetëm dy ditë në kopshtin zoologjik të Shkupit, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për kuajt e Przewalskit, një racë jashtëzakonisht e rrallë dhe e shtrenjtë që e ka origjinën nga Mongolia dhe para se të silleshin në Shkup, dhjetë vjet më parë, jetonin në një park kombëtar austriak.

“Është e papranueshme që kafshët që janë jashtëzakonisht të rralla në prag të zhdukjes, të përfundojnë në një kopsht zoologjik nën standard në Maqedoni, – i cili meqë ra fjala humbi edhe statusin e kandidatit për anëtarësim në Shoqatën Evropiane të Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve – dhe të ngordhin një nga një në të njëjtën ditë.

Deri më tani, udhëheqësi zyrtare nuk është prononcuar nga askush, gjë që është skandal. Ne kemi reaguar dje me qëllim që të kemi një pasqyrë më të pastër me atë se çka ka ndodhur. Kemi marrë indikacione se në Kopshtin Zoologjik të Shkupit punon një personel i tillë, që ka mundësi që ata vetë t’i kenë mbytur, helmuar kafshët. E përsërisim, ekziston mundësia që individë të punësuar të kenë vendosur qëllimisht t’i vrasin ata”, thonë nga “Anima Mundi”.

Shoqata kërkon që menjëherë të ekspertohen incizimet nga të gjitha kamerat në kopshtin zoologjik të Shkupit dhe nëse nuk ka video mbikëqyrje në institucion, dënime më të rrepta për menaxhmentin. Ata kërkojnë informacion nëse dhe sa nga veterinarët në Kopshtin Zoologjik të Shkupit janë mjekë të specializuar për trajtimin e kafshëve të egra, një hetim urgjent të pavarur  dhe një autopsi që nuk mund të falsifikohet.

“I bëjmë thirrje dhuruesit të tre kuajve që këtë herë të sigurojë financiarisht që të parandalohet më së pakti të mos “dhurohen” kafshë të tjera në këtë mënyrë, në këtë gjendje! Kërkojmë moratorium për importin e kafshëve të reja”, tha shoqata “Anima Mundi.”