Haqim Ramadani kërkon takim me përfaqësuesit ndërkombëtar të procesit zgjedhor në RMV: Do t’i publikoj pazaret e pista

Haqim Ramadani, kandidat i VLEN-it për kryetar të Komunës së Bërvenicës, kërkon takim urgjent me OSBE-në, ODIHR-in, Ambasadën e SHBA-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare për të diskutuar parregullsitë që thotë se kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor. Ai thekson se vota e qytetarëve duhet respektuar dhe se zgjedhjet duhet të jenë të drejta e transparente. Ramadani paralajmëron se do të publikojë të gjitha padrejtësitë dhe “pazaret e pista” që thotë se janë bërë nga drejtues të partive shqiptare. Ai shprehet se ndonëse mund të ketë humbur betejën, por se nuk heq dorë nga “lufta politike”, duke thënë se vepron për drejtësi dhe dinjitet dhe se do të konsultohet me popullin për hapat e tij të radhës, transmeton Portalb.mk.

“Thirrje për takim të menjëhershëm me përfaqësuesit ndërkombëtarë në lidhje me procesin zgjedhor në Komunën e Bërvenicës. Të nderuar përfaqësues të OSBE-së, ODIHR-it, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NDI-së dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që monitorojnë dhe mbështesin proceset zgjedhore,
Në cilësinë time si kandidat për kryetar të Komunës së Bërvenicës, kërkoj një takim të menjëhershëm me përfaqësuesit tuaj për të diskutuar zhvillimet dhe parregullsitë që kanë ndodhur gjatë procesit zgjedhor në komunën tonë. Është me rëndësi thelbësore që çdo votë e qytetarëve të Bërvenicës të respektohet dhe që procesi zgjedhor të jetë i drejtë, transparent dhe në përputhje me standardet demokratike ndërkombëtare. Kjo kërkesë bëhet në frymën e transparencës, drejtësisë dhe respektit ndaj vullnetit qytetar”, shkruan Ramadani.

Në një tjetër postim, ai shton se për hir të transparencës ndaj të gjithë atyre që e kanë përkrahur, do të publikoj çdo gjë që ka ndodhur.

“Ditëve në vazhdim do ti publikoj të gjitha PAZARET E PISTA ME ARGUMENTE dhe të vërtetën e hidhur të kryetarëve të partive politike shqiptare. Ndoshta e humbëm betejën, por luftën politike — asnjëherë! Nga sot, unë jam me popullin dhe do pyes ata se çka duhet të bëj unë. (JO PËR PUSHTET, JO PËR PARA POR PËR DREJTËSI DHE DINJITET). Nderi, morali dhe dinjiteti vlejnë më shumë se çdo post publik. Loja sapo ka filluar”, shkruan Ramadani.

Ramadani humbi garën përballë kandidatit të VMRO-së Ivica Ilievski, me 150 vota dallim, për çka ai mendon se janë bërë pazare.

Më 2 nëntor zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale, ndërsa më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.