Organizuan luftime me qen, Prokuroria e Manastirit ngriti procedurë kundër katër personave
Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka filluar procedurë kundër dy personave për veprën penale “Vrasje dhe torturim i kafshëve” sipas nenit 233, paragrafi 3, në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Të dyshuarit janë një 44-vjeçar ndërmjetës në organizimin e luftimeve me qen dhe një 43-vjeçar i cili përgatiti ring të rrethuar në oborrin e një shtëpie familjare në fshatin Crneec të Manastirit ku organizoheshin luftimet.
Procedimet për të njëjtin krim përfshijnë edhe një shtetas grek dhe një shtetas të Kosovës të cilët aktualisht janë në arrati. Të gjithë, më 1 nëntor në mbrëmje, për përfitim, ata abuzuan rëndë dhe e ekspozuan në vuajtje të panevojshme një qen të racës “pit bull”, në pronësi të shtetasit të dyshuar grek, duke e çuar atë në luftë me një qen të racës “American Stafford”, në pronësi të shtetasit të dyshuar kosovar.
Në luftë, qeni i racës “pit bull” pësoi lëndime – kafshime nga kafsha tjetër. Përleshjen e kanë ndjekur edhe persona të tjerë nga Kosova, Greqia dhe Maqedonia, ku zyrtarët e policisë kanë gjetur para të gatshme në prerje të ndryshme eurosh dhe denarësh, ndërsa dy pronarët e qenve në ring ikën nga vendi i ngjarjes menjëherë pas mbërritjes së policisë. Ata janë identifikuar dhe janë në kërkim.
Prokurori publik i ka paraqitur propozim gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Manastir për caktimin e masës së paraburgimit për shtetasit maqedonas të përfshirë në organizimin e përleshjeve të ndaluara. Megjithatë, Gjykata ka nxjerrë vendim me të cilin ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për ta. Prokuroria e Manastirit do të apelojë vendimin.