Grupi punues për reformimin e Këshilli Gjyqësor mbajti seancën e parë konstituive

U mbajtë seanca e parë konstituive e grupit punues për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, përshëndeti grupin punues dhe potencoi përkushtimin e tij që ky grup të jetë autonom dhe procesi gjithëpërfshirës, ​​për çka u shpreh se anëtarët mund të ftojnë përfaqësues të tjerë që të kontribuojnë, me qëllim rikthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor. Në fjalën e tij, ministri Lloga theksoi se nevojitet reformë gjithëpërfshirëse e Këshillit Gjyqësor, e cila do të zbatohet gradualisht dhe jo të ofrohen zgjidhje të menjëhershme që nuk do të japin rezultate dhe do të bllokojnë institucionet gjyqësore, transmeton Portalb.mk.

“Në takim u diskutua për hapat e mëtejshëm të grupit punues deri në marrjen e raportit zyrtar nga Misioni Vlerësues për Këshillin Gjyqësor dhe u përcaktua metodologjia e punës”, shkroi Lloga në Facebook.

Nga Ministria e Drejtësisë, disa ditë më parë brifuan se reformimi i Këshillit Gjyqësor, duhet të bëhet në atë mënyrë që në fund, Këshilli të vetërregullohet nëpërmjet Shoqatës së Gjyqtarëve. Ndërkaq, do të vendoset he mekanizëm për kontrollin e tyre, pasi që anëtarët e Këshillit Gjyqësor, tani për tani nuk japin llogari para askujt.

“Patjetër të zgjidhet çështja ligjore e anëtarëve, pra ata nuk japin llogari para askujt, kjo është zbrazëtirë në ligj. Sipas nesh, ata do të duhet minimum dy herë në vit të dorëzojnë raporte në kuvendin e shoqatës së tyre dhe kështu ata (Shoqata e Gjyqtarëve) do t’i thirrin në përgjegjësi, pasi atë pjesë nuk dua ta marrim si kompetencë, pasi në pyetje është politika. Kështu, nëse vetërregullohen atëherë edhe më mirë do të jetë për sistemin dhe për ne”, brifuan nga Ministria e Drejtësisë.

Të pyetur nëse është lëshuar ideja për shpërbërjen e Këshillit, nga Ministria thonë se, nuk është hedhur poshtë, por është çështje që do të zbatohet dalë-ngadalë.

“Jo. Patjetër duhet të zgjidhet sistematikisht kjo çështje. Prej atëherë kam thënë se nuk mundet brenda natës pasi që atje keni çdo muaj keni aktivitete dhe që të bëhet ajo edhe më shumë tollovi do të bëhet. Dalë-ngadalë do të bëhet ajo, kemi tre nga Kuvendi, dy nga Kuvendi nëpërmjet presidentit, nga Gjykata Supreme dhe do të ketë një dinamikë që të mos kemi zbrazëtirë në këtë pjesë dhe ashtu do të jetë zgjidhja.  Mundemi të shkojmë nëpërmjet Kuvendit për ndalim të mandatit të të njëjtëve me atë që ata do të vazhdojnë derisa të zgjedhën anëtarët e rinj”, brifojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Kujtojmë se, euroambasadori Dejvid Gir më pesë korrik njoftoi se, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar mision vlerësues në Maqedoninë e Veriut në lidhje me punën e Këshillit Gjyqësor, pas disa skandaleve dhe trazirave së fundmi. Gir sqaroi që tashmë kjo i është propozuar Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe shpreson se do të realizohet sa më shpejtë që është e mundur. Ai theksoi që duhet të korrigjohet puna e Këshillit Gjyqësor.

Këshilli Gjyqësor në muajin maj ka qenë cak i kritikave negative nga ndërkombëtarët, pasi ish-kryetarja Vesna Dameva u shkarkua nga posti i saj më 26 prill. Në seancën e Këshillit Gjyqësor ka pasur debat kur Dameva ka refuzuar të vendosë një pikë votimi që nuk ishte në rend dite. Zëvendësi i saj Selim Ademi bëri thirrje për votim për shkarkimin e saj. Ai është mbështetur nga shtatë anëtarë dhe ka deklaruar se Dameva është shkarkuar dhe në prani të saj ka marrë drejtimin e seancës.

Pas skandalit ka ardhur një reagim nga ambasada amerikane. Nga aty theksuan se anëtarët e Këshillit kanë për detyrë ndërtimin e një sektori të pavarur gjyqësor. Pas dorëheqjeve të dy gjyqtarëve, Koalicioni “Të gjithë për një proces të drejtë” u bëri thirrje anëtarëve të tjerë që të dorëzojnë dorëheqjet. Gjykatësit kanë ardhur në pozitë tanimë tetë muaj, ndërkaq mandati i tyre është gjashtëvjeçar.