Ivanovska: Ligjet dhe rekomandimet nuk merren parasysh, nëse sektori i drejtësisë është në rregull, të tjerat rregullohen (Video)

Më vjen keq që kemi raport të tillë. Institucionet e vendit nuk respektohen mes veti, as rekomandimet e Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit nuk merren parasysh. Kështu u përgjigj në pyetjen e Portalb.mk kryetarja e KShKP-së, Biljana Ivanovska në lidhje me atë se si e sheh raportin e fundit të Komisionit Evropian në lidhje me korrupsionin në vend.

Ivanovska tha se e ka lexuar raportin dhe se puna e tyre është vlerësuar pozitivisht.

“Më vjen keq që kemi raport të tillë, megjithatë mund të them se 99 përqind e rekomandimeve dhe gjendjeve të konstatuara që janë vendosur në raport, ne tashmë i kemi konstatuar dhe kemi dhënë rekomandime. Më shqetëson ajo që institucionet vendore nuk respektohen mes vete. Konkretisht, ja, rekomandimet tona nuk respektohen. Rekomandimet nga Entit Shtetëror të Revizionit nuk respektohen. Unë nuk pres që ne të përparojmë derisa nuk respektohemi mes vete. As ligjet, as rekomandimet, as njerëzit mes vete, ashtu që, ajo që duhet të bëjmë së pari është të respektojmë”, tha Ivanovska.

E pyetur për atë se sipas saj cila është ngecja më e madhe në këtë drejtim, Ivanovska u shpreh e prerë, sektori i drejtësisë.

“Nëse sektori i drejtësisë është në rregull, të gjithë tjerat mund të rregullohen, pasi ai sektor duhet të prodhojë ndëshkim. Ndërsa ne kemi rrezik më të madh nga korrupsioni, përveç ndikimit politik, është pandëshkueshmëria, përkatësisht sundimi i së drejtës”, tha Ivanovska.

Ivanovska këto komente u bëri në Tetovë ku erdhi për ligjëratë në dy shkolla në kuadër të fushatës edukative “Bëhu hero i ndershmërisë”, qëllimi i së cilës është edukimi i nxënësve për rëndësinë e integritetit dhe luftës kundër korrupsioni. Fushatë e zbatuar me ndihmë nga Zyra e Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) dhe USAID.

Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2023 mbi në rrugën e RMV-së drejt integrimit evropian kishte një mal kritika për korrupsionin në vend, duke theksuar se nuk është bërë përparim në këtë fushë dhe kjo mbetet çështje serioze. Sipas Raportit  korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe është një çështje shqetësuese.

Vonesat dhe anulimet në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë u rritën, duke rezultuar në skadimin e afatit të parashkrimit në disa raste. Kodi Penal u ndryshua me procedurë të përshpejtuar parlamentare. Dënimet maksimale ligjore për vepra penale specifike të lidhura me korrupsionin u reduktuan, duke pasur implikime në zbatimin e vjetrimit dhe duke ndikuar, ndalur apo edhe përfundimin e një numri të madh të rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, përfshirë nga ish-Prokuroria Publike Speciale ( PSP). Ndryshimet gjithashtu pengojnë aftësinë e autoriteteve për të hetuar dhe ndjekur penalisht vepra të tilla.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 8 nëntor 2023. Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

Portalb.mk ka publikuar gjetjet e raportit për disa fusha të cilat mund t’i lexoni KËTU.