Mbrojtja e ish-ministrave Saraqini dhe Bekteshi pretendon se ata nuk janë fajtorë për zjarrin në Koçan

Licenca e vitit 2012 ishte e vlefshme vetëm për një vit dhe nuk nënkuptonte leje që diskoteka Pulse të vepronte në një vend tjetër ose të akomodonte një numër të tepërt njerëzish, argumentoi sot mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë Valon Saraqini në fjalën e hapjes në gjyqin për zjarrin në Koçan, i cili vrau 63 persona dhe plagosi mbi 200, transmeton Portalb.mk.

Avokati Daniel Georgievski tha se aktakuza kundër Saraqinit është ligjërisht dhe logjikisht e pambështetshme, sepse në vitin 2012 u lëshua licencë për një kabare në rrugën Dimitar Vllahov, e cila është një vendndodhje krejtësisht e ndryshme nga rruga Krizhevska ku ndodhi tragjedia në mars të vitit 2025.

“Si mund të shkelësh një dispozitë të ligjit që nuk ekziston fare në ligj? Për çfarë lloj kauzaliteti po flasim këtu, kur në kohën e tragjedisë objekti nuk kishte fare licencë aktive dhe të vlefshme?” pyeti Georgievski gjykatën.

Avokatja Tatijana Popovski Bulovski shtoi se Ministria e Ekonomisë shqyrton vetëm përmbushjen e kërkesave formale, pra nëse është paraqitur dokumentacioni i nevojshëm, dhe jo kushtet materiale në terren.

“Dokumentacioni ishte i plotë, por nëse ishte i vërtetë, kjo çështje duhet të vendoset nga aplikanti dhe inspektorët nga ISHP-ja që kryen kontrollet, dhe jo nga Ministria, dhe aq më pak nga ministri”, tha ajo.

Mbrojtja e ish-ministrit të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, nëpërmjet avokatit Elenko Milanov, gjithashtu mohoi çdo lidhje me ngjarjen tragjike. Milanov theksoi se licencat nga viti 2023 dhe 2024 nuk ishin akt personal i Bekteshit.

“Licencat që pretendohet se kanë krijuar shkakësi janë lëshuar në bazë të autorizimit dhe mbahen me faksimile, jo me firmën personale të ministrit. Nuk ka asnjë licencë të nënshkruar personalisht nga Kreshnik Bekteshi”, tha Milanov.

Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë, njoftoi se do të provonte se klubi ishte “kurth vdekjeprurës” për shkak të neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale.

Gjithsej 34 persona janë në bankën e të akuzuarve, përfshirë pronarë, inspektorë dhe nëpunës civilë. Fjalët hyrëse ende nuk janë dhënë nga avokatët mbrojtës për të pandehurit e mbetur, përfshirë inspektorët e tregut dhe pronarin e agjencisë së sigurisë Rubicon, Aleksandar Nacev.

Ministri pa portofol Shaban Saliu, gjithashtu iu drejtua sot gjykatës në seancën e sotme dëgjimore, duke thënë se për 9 vjet nuk kishte asnjë lidhje faktike apo ligjore me institucionin e Shërbimit të Sigurimit të Shtetit, ku ishte drejtor në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017. Ai thotë se nuk është fajtor për tragjedinë. Ai pretendon se akuza kundër tij është e pabazuar.

“Akuza kundër meje bazohet në supozime, ai mund ta dinte, duhej ta dinte, kishte një detyrim, ndoshta të ngjashme. Është ligjërisht e palejueshme që akuza të bazohet në ndonjë supozim, pa marrë parasysh ndershmërinë time që në lindje. Shpresoj që drejtësia të fitojë gjithmonë në fund”, tha Saliu në fjalimin e tij.

Sipas tij, ai thotë se akuzohet për qëllim të mundshëm që nga viti 2012 deri në vitin 2017, se ishte në dijeni dhe se e dinte se ngjarja e 16 marsit 2025 do të ndodhte.

Familjet e 63 viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit “Puls” kërkojnë drejtësi për jetën e ndërprerë të të dashurve të tyre dhe për dhimbjen e shkaktuar të lënduarve dhe të gjithë atyre që u prekën nga ngjarja tragjike.

Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.