Prova kaotike, aktakuzë e re dhe materiale të padërguara, mbrojtja në rastin “Puls” me vërejtje të shumta ndaj prokurorisë
Avokatët e një pjese të të akuzuarve në lëndën për zjarrin në diskotekën “Puls”, Koçani, që në fillim të seancës së sotme patën disa vërejtje lidhur me aktakuzën e rishikuar dhe të integruar, si dhe listën e re të provave, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e parë të mërkurën (19 nëntor), gjykatësja Diana Gruevska-Ilievska, e cila kryeson këshillin gjykues, solli vendim për bashkimin formal të aktakuzës kundër pronarit të agjencisë së sigurimit “Rubikon”, Aleksandar Nacev, me aktakuzën kryesore.
Pas kësaj, Prokuroria paraqiti një aktakuzë të integruar dhe një listë të reduktuar të provave.
Një pjesë e avokatëve edhe atëherë reaguan për, siç e quajtën ata, aktakuzën e re dhe kërkuan shtyrjen së seancës. Reaguan edhe sot.
Avokatja Suzana Joshevska Atanasovska tha se provat që u janë dorëzuar tani janë të përziera, të pa-numëruara dhe nuk përputhen me ato që u janë dhënë në USB.
“Provat janë të përziera. Ju lutem, nëse është e mundur, gjykata të detyrojë Prokurorinë të na dorëzojë prova të rregulluara, të numëruara dhe të emërtuara”, tha mbrojtësja e njërit prej të akuzuarve.
Disa avokatë të të akuzuarve thanë se nuk e kanë marrë aktakuzën e integruar.
Avokatët pretenduan se nuk bëhet fjalë për bashkim të zakonshëm të dy aktakuzave, por për një aktakuzë krejtësisht të re. Disa prej tyre theksuan se në aktakuzën e integruar ka ndryshime në kohën e kryerjes së veprave penale për të cilat ngarkohen klientët e tyre.
“Ka mospërputhje në kornizën kohore”, tha një prej avokatëve.
Sipas një mbrojtësi tjetër, për shkak të ndryshimeve në kornizën kohore, nga aktakuza e integruar rezulton se klienti i tij nuk ka qenë as i punësuar në kohën kur është kryer vepra që i vihet në barrë.
Për provat e përziera, prokurori Borçe Janev tha se materiali provues nuk është i numëruar, por është dhënë renditja e provave.
Në vërejtjen e gjykatëses nëse versioni i integruar është i rregulluar, prokurori tha se ka përsëritje të provave, por të gjitha provat janë dorëzuar në muajin qershor dhe mbrojtja ka pasur mjaft kohë të reagojë dhe të kërkojë rregullimin e tyre.
Avokati Lazar Zafirovski, mbrojtës i të akuzuarit Lazar Zahariev, tha se ka ndryshime në periudhën kohore të kryerjes së veprimeve dhe se për herë të parë është futur një person i ri, Martin Atanasovski, për të cilin thuhet se e ka futur piroteknikën, ndërsa më herët pretendohej se këtë e kishte bërë grupi DNK.
“Gjykata duhet ta tërheqë vendimin për aktakuzën e integruar, sepse krijoi huti duke besuar se bëhej fjalë për bashkim të aktakuzave të pandryshuara”, tha avokati.
Në këtë drejtim reaguan edhe avokatë të tjerë, disa prej të cilëve thanë se nuk e kanë marrë aktakuzën dhe për këtë arsye klientët e tyre nuk mund të deklarohen mbi fajësinë, ndërsa mbrojtja e tyre nuk mund të japë fjalën hyrëse.
Ata thanë se Prokuroria nuk e respekton procedurën dhe se po merren vendime në kundërshtim me Ligjin për Procedurën Penale.
Një avokat tjetër theksoi se ndryshimi i aktakuzës mund të bëhet vetëm gjatë procedurës së administrimit të provave, pra gjatë shqyrtimit gjyqësor.
“Sipas ligjit, nëse Prokuroria konstaton se provat e administruara tregojnë për një ndryshim, mund të bëjë ndryshimin, por duke qenë se procedura nuk është në fazën e administrimit të provave, nuk na është e qartë si mund të dalim nga kjo situatë, sepse kjo nuk është ndryshim i aktakuzës, por kemi një aktakuzë të re. Duhet të vendoset nëse kjo aktakuzë e re i nënshtrohet vlerësimit dhe shpresoj në mençurinë e gjykatës”, tha një nga avokatët e të akuzuarve.
Prokurori Blagoj Janev tha se nuk bëhet fjalë për aktakuzë të re, sepse, siç tha ai, nuk është ndryshuar identiteti subjektiv dhe objektiv i dy aktakuzave të bashkuara.
“Është e vërtetë që në LPP nuk ekziston mundësia për ndreqjen e gabimeve teknike, por kjo nuk do të thotë se është cenuar identiteti objektiv e subjektiv i aktakuzës – nuk ka të akuzuar të rinj, as nuk është ndryshuar përshkrimi i gjendjes faktike dhe i elementit thelbësor, gjë që do të shkonte në dëm të mbrojtjes”,
tha prokurori.
Duke replikuar, avokati Petre Shilegov, i cili është mbrojtës i njërit prej të akuzuarve, tha se nuk mund të pritet të arrihet drejtësi për një tragjedi kaq të madhe përmes padrejtësisë.
Seanca e radhës mbahet më dy dhjetor.
Në sallën e gjyqit sot filloi seanca e dytë e procesit gjyqësor për zjarrin në të ashtuquajturin kabare “Puls” në Koçan, në të cilën të akuzuarit duhet të deklarohen nëse ndihen fajtorë apo jo për veprën për të cilën ngarkohen – rrezikim i sigurisë së përgjithshme.
Përveç procesit kryesor, Prokuroria po zhvillon edhe procedura të veçanta kundër policëve të dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme si bashkëveprues, pasi për më shumë se një dekadë, përmes lëshimeve të tyre, kanë lejuar që diskoteka të punojë pa kushte të nevojshme të sigurisë.
Javën e kaluar, Prokuroria njoftoi se është hapur procedurë edhe kundër të punësuarve në DAP, të dyshuar për ryshfet dhe keqpërdorime të lidhura me të njëjtin rast. Po hetohet nëse ata kanë pasur rol në fshehjen ose lehtësimin e punës së paligjshme të objektit.
Familjet e 63 viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit “Puls” kërkojnë drejtësi për jetën e ndërprerë të të dashurve të tyre dhe për dhimbjen e shkaktuar të lënduarve dhe të gjithë atyre që u prekën nga ngjarja tragjike.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.