Vazhdon gjykimi për zjarrin në Koçan, priten deklarimet për fajësi dhe fjalët hyrëse të mbrojtjes
Në sallën e gjykimit në burgun e Idrizovës sot vazhdon gjykimi për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Puls” në Koçan, ku më 16 mars humbën jetën 63 persona dhe mbi 200 u plagosën. Në këtë seancë pritet që mbrojtja t’i paraqesë fjalët e saj hyrëse dhe të akuzuarit të deklarojnë nëse ndihen fajtorë, transmeton Potalb.mk.
Në bankën e të akuzuarve janë ulur gjithsej 37 të pandehur, 34 persona fizikë dhe tre juridikë, mes tyre pronari i “Pulse”, drejtues, inspektorë, ish-kryetarë komunash dhe zyrtarë shtetërorë.
Gjykimi po zhvillohet nën masa të shtuara sigurie dhe drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska-Ilievska, e cila ka paralajmëruar se do të kërkojë disiplinë të lartë nga të gjitha palët dhe do të sanksionojë çdo shtyrje të panevojshme të procesit.
Sot, para seancës së dytë për ragjedinë në diskotekën Pulse, “Kush është i radhës?” kreu një aksion simbolik para Gjykatës Penale. Dhjetëra “sy” u vendosën para hyrjes si një mesazh se publiku po e ndjek me kujdes procesin dhe se të gjithë sytë janë tek institucionet që duhet të sigurojnë gjykim të drejtë, të pavarur dhe transparent. V
“Aksioni dërgon një sinjal të qartë se familjet e të ndjerëve, të mbijetuarit dhe i gjithë publiku presin llogaridhënie dhe procedura të qarta gjyqësore, pa vonesa dhe pa ndikim politik. “Kush është i radhës?” njofton se do të vazhdojë të ndjekë në mënyrë aktive procesin dhe të reagojë sa herë që ekziston rreziku i shkeljes së drejtësisë”, njoftuan nga kjo nismë.
Në seancën e kaluar, përfaqësuesi i Prokurorisë, Borçe Janev, në fjalët hyrëse theksoi se kërkohet përgjegjësi me emër e mbiemër për atë se kush ka lejuar, kush ka heshtur dhe kush s’e ka parandaluar tragjedinë.
Ai theksoi se katastrofa nuk është rezultat vetëm i përdorimit të piroteknikës gjatë performancës atë natë, por i viteve të tëra të heshtjes institucionale, lëshimeve dhe mungesës së kontrollit.
Sipas Prokurorisë, tragjedia është pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhencës sistemike dhe e injorimit të rreziqeve të sigurisë:.
Përveç procesit kryesor, Prokuroria po zhvillon edhe procedura të veçanta kundër policëve të dyshuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme si bashkëveprues, pasi për më shumë se një dekadë, përmes lëshimeve të tyre, kanë lejuar që diskoteka të punojë pa kushte të nevojshme të sigurisë.
Javën e kaluar, Prokuroria njoftoi se është hapur procedurë edhe kundër të punësuarve në DAP, të dyshuar për ryshfet dhe keqpërdorime të lidhura me të njëjtin rast. Po hetohet nëse ata kanë pasur rol në fshehjen ose lehtësimin e punës së paligjshme të objektit.
Familjet e 63 viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit “Puls” kërkojnë drejtësi për jetën e ndërprerë të të dashurve të tyre dhe për dhimbjen e shkaktuar të lënduarve dhe të gjithë atyre që u prekën nga ngjarja tragjike.
Zjarri në Koçan shpërtheu natën e 15-16 marsit, duke rezultuar me 63 viktima dhe duke plagosur pothuajse 200 të tjerë.