Gjykata Kushtetuese vendosi që sistemi “Safe City” të mbetet në fuqi

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut në seancën e sotme vendosi që t’i hedhin poshtë të gjitha nismat për kontestimin e sistemit “Safe City”. Kjo nënkupton se sistemi mbetet në fuqi dhe se është në përputhje me Kushtetutën, raporton Portalb.mk.

Gjykata pranoi tre iniciativa të ndryshme që kontestojnë këtë sistem:

  • Aleanca për Shqiptarët (krahu i Arben Taravarit);

  • Aleanca për Shqiptarët (krahu i Ziadin Selës);

  • Një iniciativë nga një student i Fakultetit Juridik.

Të tria këto kërkesa u bashkuan në një lëndë të vetme, e cila u shqyrtua si pikë kryesore e rendit të ditës.

Sistemi “Safe City”, i cili parashikon monitorimin përmes kamerave të teknologjisë së lartë në vendet publike, ka ngritur shqetësime lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e privatësisë, si dhe lirinë e lëvizjes.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, në shkurt, pavarësisht pozicionit të tij si kryetar i një gjykate të lartë që ende nuk kishte vendosur për ankesat që sfidojnë sistemin, nuk kurseu lëvdatat për projektin. Duke komentuar sistemin, i cili ka është në funksion vetëm prej pak më tepër se një muaji, Kostadinovski deklaroi se ai “ka treguar se mentaliteti ynë mund të ndryshojë shumë shpejt, domethënë, të përshtatet me rregullat”.

Kujtojmë se me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, ky sistem në RMV hyri në fuqi më  1 shkurt 2026. Në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10 kurse ka plane të vendoset edhe në Strugë dhe Ohër. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare duke cekur se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit.