Estonia do t’i mbyllë kufijtë me Rusinë nga 1 dhjetori

Estonia do t’i mbyllë të gjitha vendkalimet kufitare me Rusinë duke filluar nga 1 dhjetori, deklaroi të dielën ministri i saj i Punëve të Jashtme. Ky vendim vjen pas një sulmi të dyshuar si sabotim ndaj një kompanie estoneze të mbrojtjes, për të cilin Talini fajësoi Moskën, transmeton Portalb.mk.

Autoritetet estoneze ndaluan gjatë natës tetë persona, nën dyshimin për tentativë zjarrvënieje në kompaninë “Treod Systems”, e cila prodhon mjete fluturuese pa pilot. Sipas autoriteteve, urdhri për këtë sulm kishte ardhur nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, deklaroi për agjencinë shtetërore të lajmeve TASS se, nëse Estonia e mbyll vërtet kufirin, kjo do të përbënte një tjetër dëshmi të rusofobisë.

“Nëse këto janë planet e tyre të vërteta, atëherë ato përputhen me një valë tjetër të rusofobisë agresive dhe të pakontrolluar”, citon TASS deklaratën e Zaharovës.

Moska i ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat e autoriteteve evropiane për përfshirje në operacione sabotimi.

“Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore ndaj Estonisë kanë pasoja”, shkroi ministri i Punëve të Jashtme, Margus Cahkna, në një postim në platformën “X”.

Ai nuk saktësoi sa do të zgjasë mbyllja e kufirit dhe as nëse është caktuar një datë për rihapjen e tij.

Sipas transmetuesit publik estonez ERR, Estonia, vend anëtar i NATO-s dhe i Bashkimit Evropian dhe mbështetëse e fuqishme e Ukrainës, aktualisht ka tri vendkalime të hapura kufitare me Rusinë: Narva, Luhamaa dhe Koidula, përmes të cilave zhvillohet qarkullimi i këmbësorëve dhe transporti i mallrave.