Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kostadinovski e lavdëroi “Qytetin e Sigurt” para se Gjykata të vendosë për katër peticione kundër tij

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, njoftoi sot se katër raste janë ngritur në Gjykatë në lidhje me sistemin e kamerave “Qyteti i Sigurt”. Pavarësisht pozicionit të tij si kryetar i një gjykate të lartë që ende nuk ka vendosur për ankesat që sfidojnë sistemin, ai nuk kurseu lëvdatat për projektin. Duke komentuar sistemin, i cili ka është në funksion vetëm prej 17 ditësh, Kostadinovski deklaroi se ai “ka treguar se mentaliteti ynë mund të ndryshojë shumë shpejt, domethënë, të përshtatet me rregullat”, transmeton Portalb.mk.

“Janë ngritur katër raste. Është e vërtetë që do të merren masa sepse është një risi në vendin tonë. Këto raste do të merren shpejt. Nuk mund ta jap analizën time para kohe. E kam deklaruar tashmë qëndrimin tim personal një herë. A ka ky projekt qëllim legjitim? Po. A është i justifikuar shoqërisht? Po. A janë masat që parashikon janë proporcionale me qëllimin që kërkon të arrijë? Qëndrimi im është – po. Madje e përdora si shembull të një pyetjeje nga një koleg i juaji në një konferencë ndërkombëtare rreth asaj pse jam kaq këmbëngulës në zhvillimin e kulturës kushtetuese dhe a jam optimist. Po, jam optimist. Pikërisht ky projekt “Qytet i Sigurt” na ka treguar të gjithëve se mentaliteti ynë mund të ndryshojë shumë shpejt, domethënë të përshtatet. Dhe me çfarë përshtatet? Me rregulla. Ne nuk jemi një rast i pashpresë. Nuk jemi. Në vendin tonë, ekziston gatishmëri reale dhe realiste nga të gjithë aktorët për të respektuar sundimin e ligjit. Po, kemi një perspektivë të mirë dhe një të ardhme të mirë. Dhe unë jam optimist”, tha Kostadinovski.

Ai komentoi gjithashtu propozimin që profesor Goce Naumovski, i cili ishte këshilltar i kryeministrit Mickoski, të bëhet gjyqtar kushtetues. Kostadinovski tha se ai vetë ishte këshilltar i tre presidentëve.

“Në gjyqësinë kushtetuese, ka disa lloje gjyqtarësh që kishin qasje të ndryshme për interpretimin e vetë Kushtetutës, ka nga ata që i quajmë restriksionistë që i përmbahen drejtpërdrejt shkronjës së tekstit të Kushtetutës, tekstualistë – ata e interpretojnë mekanikisht Kushtetutën, por ka edhe gjyqtarë që e interpretojnë atë në kuptimin e saj më të gjerë të mundshëm dhe unë jam pjesë e atyre gjyqtarëve. Kur njerëzit vijnë nga akademia, si p.sh. nga fakulteti, ky është një lajm i mirë për mua për gjyqësinë kushtetuese. Sa i përket të qenit këshilltar i kryeministrit, unë kam qenë këshilltar i tre presidentëve maqedonas. Kryerja e detyrës është pjesë e karakterit dhe besueshmërisë së një personi. Nëse ai ka qenë këshilltar i një kryeministri apo unë i tre presidentëve, kjo nuk ka kuptim. Puna jonë vlerësohet pikërisht në këtë sallë. E kam thënë shumë herë dhe të gjashtë librat e mi deri më tani i janë kushtuar besnikërisë ndaj Kushtetutës. Unë jam besnik ndaj Kushtetutës dhe askujt tjetër. Dhe këtë e pres nga kolegu i ri nëse zgjidhet, dhe nga ai tjetri që duhet të jetë, dhe nga gjyqtarët e mëparshëm”, tha ai.

Kujtojmë se me ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje, ky sistem në RMV hyri në fuqi më  1 shkurt 2026. Në fazën e parë realizohet në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Korridoret 8 dhe 10 kurse ka plane të vendoset edhe në Strugë dhe Ohër. Ligji u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga opozita shqiptare duke cekur se ka shumë mangësi. Po ashtu, dhe qytetarët në një anketë online të Portalb.mk u shprehën të shqetësuar për mangësitë e sistemit.