Manipulime me buxhetin, Ligji për Prokurorinë nuk është siç kaloi në Komisionin e Venedikut

Komisioni i Venedikut dha mendim pozitiv për propozim-Ligjin për Prokurorinë Publike. Por, gjatë rrugës për në Kuvendin e Maqedonisë ky propozim-ligj pësoi ndryshime, kështu që deputetët do të votojnë për një ligj paksa më ndryshe nga ai që u “lavdërua” në Komision. Ndryshimi kryesor që do të ndikojë në reformat e parapara është shkurtimi i fondeve, thonë ekspertët, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Ministri i drejtësisë, Igor Fillkov, në seancën plenare në Kuvend theksoi se ky propozim-ligj është rezultat i një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës që ka filluar në nëntor të vitit 2024 me formimin e një grupi pune në të cilin ishin të përfshirë ekspertë, profesorë universitarë, prokurorë, gjykatës, avokatë, përfaqësues të sektorit joqeveritar dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë këtu OSBE-në dhe Bashkimin Evropian. Propozim-ligji këtë verë iu dërgua edhe Komisionit të Venedikut për shqyrtim para se ai të miratohej.

Analiza krahasuese, të cilën e realizoi Radio Evropa e Lirë, tregon se propozim-ligji i publikuar në uebfaqen e Komisionit të Venedikut dhe ai që deputetët filluan ta shqyrtojnë në Kuvend kanë disa dallime thelbësore, në mesin e të cilave edhe financiare.

Formulë e ndryshuar e financimit

Problemi kryesor qëndron në ndryshimin e formulës matematikore për financim. Në versionin në gjuhën angleze ishte paraparë që prokuroria duhet të marrë të paktën 0,5% të buxhetit të përgjithshëm të shtetit, por në versionin në gjuhën maqedonase që u dorëzuar në Kuvend ky prag është ulur ndjeshëm në bazën mbi të cilën llogaritet.

“Bazuar në politikën fiskale dhe kategoritë kryesore të të ardhurave dhe shpenzimeve të parashikuara shuma e fondeve për funksionimin e prokurorisë publike duhet të jetë të paktën 0,4% e të ardhurave tatimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin aktual, me kusht që me këtë të mos çrregullohet ndarja e drejtë të fondeve buxhetore dhe të mos ndikohet në fondet e planifikuara për të gjitha zërat e shpenzimeve buxhetore”, thuhet në nenin 106 të propozim-ligjit parlamentar për Prokurorinë.

Në propozimin e Qeverisë lidhur me buxhetin thuhet se zëri “buxheti i përgjithshëm” është një kategori shumë më e gjerë që i përfshin të gjitha të ardhurat shtetërore, në të cilat bëjmë pjesë edhe tatimet, akcizat, kontributet, por edhe huatë, kreditë dhe donacionet.

Nga ana tjetër, “të ardhurat tatimore” janë vetëm paratë që shteti i mbledh direkt nga tatimet (TVSH, tatimi mbi të ardhurat personale, etj.).

Për krahasim, anëtarët e Komisionit të Venedikut që po e shqyrtojnë propozim-ligjin e përgatitur nga një grup pune në vitin 2025, zërin e buxhetit e komentojnë në nenin 105.

“Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut e përcakton dhe e menaxhon në mënyrë të pavarur buxhetin dhe vendos për përdorimin, ndarjen, qëllimin dhe rindarjen e fondeve. Bazuar në politikën fiskale dhe kategoritë kryesore të të ardhurave dhe shpenzimeve të parashikuara shuma e fondeve për funksionimin e Prokurorisë Publike duhet të jetë të paktën 0,5% e buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin aktual”, thuhet në versionin e publikuar në uebfaqen e Komisionit.

Komisioni i Venedikut e lëvdon autonominë financiare

Në letrën që Komisioni i Venedikut ia dërgoi ministrit të drejtësisë, Igor Filkov, janë thënë fjalë pozitive për rritjen e buxhetit të paraparë për Prokurorinë, gjë që nuk do të ndodhë me ligjin që ka hyrë në procedurë parlamentare.

“Risi është që paragrafi 1 i nenit 105 tani parasheh autonomi më të madhe financiare për prokurorinë me atë që parasheh që Prokurorit Publike “në mënyrë të pavarur ta përcaktojë dhe ta menaxhojë buxhetin dhe të vendosë për përdorimin, ndarjen, qëllimin dhe rindarjen e fondeve”. Komisioni i Venedikut e përshëndet faktin që Prokuroria Publike tani është ekskluzivisht përgjegjëse për buxhetin e vet, si dhe për minimumin fiks të buxhetit të ndarë për Prokurorinë Publike dhe rritjen e propozuar prej 0,5 përqind (edhe nëse pothuajse të gjithë bashkëbiseduesit dyshonin nëse shuma prej 0,4 përqind ishte arritur ndonjëherë)”, thuhet në letrën e publikuar në uebfaqen e tyre.

Nëse miratohet propozim-ligji , i cili për momentin është në procedurë parlamentare, Prokuroria do të marrë 16 milionë euro më pak se sa paratë që Ministria e Drejtësisë e Maqedonisë i njoftoi para anëtarëve të Komisionit të Venedikut.

Një përqindje e buxhetit dhe një përqindje e të ardhurave tatimore në buxhet janë një dallim jashtëzakonisht i madh, thotë eksperti i tatimeve, Sllavko Llazovski, për Radion Evropa e Lirë (REL).

“Pra, ka një ndryshim jashtëzakonisht të madh midis të ardhurave buxhetore, domethënë shumës së anës së të ardhurave buxhetore dhe të ardhurave tatimore. Në përllogaritjen e buxhetit përfshihen edhe të ardhurat jo-tatimore, donacionet nga jashtë, të ardhurat vetanake si shitja e pronës, pastaj fitimet nga ndërmarrjet publike, madje edhe nga kompanitë partnere si Telekomi, gjysma e të ardhurave prej andej shkojnë në buxhet, pastaj shpenzimet e Bankës Popullore, kreditë e huaja e kështu me radhë. Kush e shpik këtë, pse bëhen manipulime të tilla?” thotë Llazovski.

Buxheti i Maqedonisë për këtë vit është 6 miliardë euro dhe 0,5 përqind e tij, aq sa u premtoi Qeveria partnerëve ndërkombëtarë se do t’i jepte Prokurorisë, është 30,5 milionë euro. Por, sipas propozim-ligjit që është në Kuvend, Qeveria realisht Prokurorisë planifikon t’i japë një buxhet prej 14,4 milionë eurosh.

Qeveria nuk planifikon më shumë para për Prokurorinë

Vitin e kaluar Prokuroria Publike kishte një buxhet prej 13,9 milionë eurosh.

Sipas raporteve të fundit të Prokurorisë mbi punën e tyre, të cilat shqyrtohen nga deputetët, këto para nuk janë të mjaftueshme për një luftë cilësore kundër krimit dhe korrupsionit.

“Prokuroria Publike çdo vit me cirkularin buxhetor kërkon fonde edhe për këtë qëllim, por ato ose nuk miratohen ose miratohet një shumë minimale që është e pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet për trajtime të specializuara të punonjësve”, thuhet në raportin e fundit të Prokurorisë.

Në të thuhet edhe se ata çdo vit nuk i marrin paratë e parashikuara sipas ligjit.

“Edhe pse buxheti parashikohet sipas nevojave të secilës prokurori publike në veçanti, vazhdimisht ka një mospërputhje mes parashikimeve dhe fondeve të miratuara “, thuhet në raport.

Paraprakisht, në disa raporte të fundit të Prokurorisë Publike, është theksuar se deri më tani ata shpesh nuk kanë mundur ta realizojnë buxhetin plotësisht për shkak të vendimeve të Ministrisë së Financave.

Një ndikim shtesë në autonominë financiare të Prokurorisë është edhe klauzola e re diskrecionare në propozim-ligj në të njëjtin nen, sipas së cilës këto fonde do të ndahen vetëm nëse nuk çrregullohet “ndarja e drejtë” e buxhetit, me çka pushteti ekzekutiv ruan një mekanizëm për kontrollin e buxhetit të prokurorëve.

Nuk ka para as për hetuesit

Në propozim-ligjin parlamentar janë paraparë reforma në prokurori, siç është formimi i qendrave hetimore në të gjitha prokuroritë themelore publike që veprojnë para gjykatave me juridiksion të zgjeruar. Gjithashtu është paraparë që njësia për ndjekjen penale të veprave penale të personave me kompetenca policore duhet të ketë edhe shërbimin e vet profesional dhe hetues.

Në një situatë të tillë lind pyetja se si do të punësohen hetues që do të kenë për detyrë t’i ndihmojnë prokurorët kur për këtë nuk janë paraparë fonde shtesë në Ligjin për Prokurorinë.

“Epo, natyrisht që me të njëjtat para si vitin e kaluar ata nuk do të mund të punësojnë hetues të rinj. Nëse shteti nuk i rrit të ardhurat tatimore, nuk do të ketë as edhe R nga reforma”, thotë Llazovski.

Ndërkohë në një seancë qeveritare ministrat votuan në favor të propozimit për Prokuror Shtetëror dhe propozimi së shpejti do të dorëzohet në Kuvend, i cili duhet ta votojë atë me shumicë të thjeshtë. Bëhet fjalë për një gjykatës nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, Nenad Saveski, i cili pritet të zërë vendin e Ljupço Kocevskit, i cili dha dorëheqjen pas kritikave të qeverisë për punën e tij.