Fjalim në Kinotekë: Kultura e mirënjohjes

“Ne jemi ajo që bëjmë në mënyrë të përsëritur. Përsosmëria, nuk është një akt, por një shprehi!”

Will Durant, The Story of Philosophy

E nderuar kryetare e Qytetit të Shkupit, të nderuar akademikë, shkollarë, profesorë, anëtarë të Komisionit për akordimin e Çmimit “13 Nëntori”, i nderuari prof. A. Mustafa, doajen i pedagogjisë shqiptare në RMV, artist i merituar B. Mjaku, poet i dalluar D. Miftari, mik A. Dauti, të nderuar shokë njëjavësh të panairit të librit “TÜYAP, Stamboll 2023” A. Prokopiev dhe Z. Batkovski, kolegë fitues të këtij shpërblimi, gazetarë, familjarë të dashur, ju të gjithë që jeni prezentë këtu, në këtë mjedis të çmuar ku bëhet ndarja ceremoniale e Çmimit “13 Nëntori”!

Para se të dilja në këtë binë që të them disa fjalë në këtë ceremoni, po bisedonim me njërin nga doajenët e gazetarisë sportive të RMV-së, z. A. Kostovski, që përmendi kujtimet e tij nga Saraji im, ku kam marrë frymën e parë dhe ku kam bërë hapat e parë të jetës, që dikur ka qenë epiqendra rekreative sportive thuajse e gjithë Jugosllavisë, në veçanti për sporte e boksit dhe mundjes. Në Saraj gjendet edhe Matka, një perlë që i jep një madhështi dhe atraktivitet të jashtëzakonshëm kryeqytetit tonë. Shkollimin sipëror e kam ndjekur në Sarajevën e Miljackës dhe në Stambollin e Bosforit, dy qytete këto që kanë formuar gjenin tim kulturor, intelektual, që me shpirtin e qyteteve të hapura dhe kozmpolite kanë lënë gjurmë në personalitetin tim. Dhe trekëndëshi jetik imi plotësohet me Shkupin e Vardarit të mbiquajtur “Bosfori i Dytë”, me këtë qytet arkaik dhe modern, të multikulturalizmit osman të simbolizuar përmes Urës së Gurit, të multikulturalizmit shembullor të Çairit që është bërë temë doktorate dhe refleksioneve të projektit të Kenzo Tanges për një Shkup apo qytet të hapur.

Që nga qytetet më të vjetra (Byblos, Damascus, Jericho) e deri më sot, bashkë me qytetet, të cilat kanë sjellë edhe qytetërimin, është zhvilluar edhe një kulturë e veçantë që është mbiquajtur kulturë qytetare ose kulturë urbane, që në qytetet e Ballkanit me ngjyrë orientale deri para disa dekadave quhej kulturë e shehrit (shehërliut), që e përditësuar del në formën urban life (jetë urbane). “Shkupi është kopje tokësore e kopshtit parajsor” – është shprehur Ibn Kemali në shek. XVI. Ai është quajtur edhe l’ombeliuco del mondo, kërthizë e botës, kurse Maqedonia, catena mundi. Ky qytet, ka kaluar shumë periudha, nga Skupi i Tit Livit, shekulli I p.e.s., Üsküpi osman (1392-1912), Shkupi i 1912-ës, Skopje (midis dy luftrave botërore), Skopia bullgare e LDB-së dhe Skopje/Shkupi i periudhës së komunizmit dhe tranzicionit deri te “Shkupi 2014” apo “qyteti i vjedhur” (T. Osmanli) dhe i natyrshmi, që jeton në zemrat tona.

Shekujt i kanë dhënë ngjyrat e veta këtij qyteti ky jetojmë dhe me të cilin identifikohemi të gjithë. Unë jam rritur me shpirtin e veçantë të Shkupit, me bulevardet e tij, me Çarshinë, siluetën e tempujve të tij, me qendrën, sheshin, me libraritë, kinematë e tij, me stadiumin e Qytetit, me plazhet dhe liqenin e Treskës, Vodnon ku ende bëj ecjen e mëngjesit dhe ato ceremoniale me shoqatat bjeshkatare-alpiniste. Jam rritur me topat e blerë në shtëpinë e mallrave “Most”, me byrekun dhe simitpogaçën e freskët, kam lexuar librat e blerë në libraritë pas “Ibn Pajkos” apo “Fakultetit të Arteve Muzikore”, kam shijuar kallaballëqet e paharrueshme të autobusave urbanë të Shkupit, të “2”-shit legjendar. Nga stacioni i vjetër i trenit nisesha për në Bosnje dhe Turqi, dhe i gëzohesha kthimit aty si fëmija takimit me nënën. Shkupit ia di qelizat, symbyllur e dalloj, sepse në të më së lirshmi frymoj.

Siç dihet një nga parimet më të thella në natyrën e njeriut është pasioni për të qenë i vlerësuar. (W. James) Kjo ka të bëjë me atë që quhet kulturë e mirënjohjes (culture of recognition) që nënkupton shpërblimin dhe të bërit e tjetrit krenar; nëse shpërbleni sjelljen e mirë, ajo përsëritet, fuqizohet morali, produktiviteti dhe kompetiviteti, i shtyn njerëzit që të japin maksimumin në rolet e tyre. Personi që çmohet jep gjithnjë më shumë se sa që pritet. (Khan, 2021) Vlerësimi dhe shpërblimi është qasje e celebrimit të punës së vyeshme dhe suksesit, është qasje e liderëve dhe prijësve të urtë dhe largpamës, e institucioneve produktive. Jam rritur bonjak, që në moshën dyvjeçare kam humbur babain, të cilin ma kompensoi xhaxhai im me mbështetjen e tij të pakufishme; sidoqoftë është dashur të punoj shumë, të përpiqem maksimalisht dhe rezultatet nuk kanë munguar, që nga shkolla fillore deri në jetën pasuniversitare.

Para 15 viteve në Pragë fitova shpërblimin e EACME (European Association of Centres of Medical Ethics, 2008), para dhjetë vitesh alma mater-i im (UEJL) më akordoi  Çmimin e Performancës së Lartë, më 2016 isha laureat i shpërblimit Publikimi më i mirë akademik i vitit (ALBSA & AIS, Tiranë), para disa ditëve në Vlorë në një koferencë ku morën pjesë shkencëtarë nga 22 vende, m’u dha një shpërblim ndërkombëtar, nga Federata Botërore për Paqë, “Ambasador i Paqës”, kurse sonte shpërblehem me çmimin “13 Nëntori” që do ta shënoj me shkronja të arta në biografinë (CV-në) time.

Ta rujamë dhe ta duam Shkupin si bebëza e syrit, të gjithë! S’kemi tjetër.

Ju falemnderit shumë, ju jam mirënjohës, respekt për të gjithë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.